




Tiranë, 22 nëntor 2012, NOA – Lëvizja Shqipëria e Re zhvilloi sot në mesditë një marshim-protestë "Pro Integrimit". Qindra simpatizantë të kësaj lëvizje marshuar nga Parku Rinia deri tek Kuvendi i Shqipërisë, ku bënë thirrje për deputetët që të votojnë paketën e ligjeve që mundëson marrjen e statusit kandidat në Bashkimin Evropian për Shqipërinë. Thirrje i drejtohej deputetëve të opozitës dhe kryetarit të Partisë Socialiste që të japë votën ndaj këtyre ligjeve për të mos e lënë vendin tonë dhe një vit tjetër pas në rrugën e integrimit evropian. Kryetari i Lëvizjes Shqipëria e Re, z. Edmond Vlashaj , tha para mediave se "Ne besojmë se Integrimi në Europë, do të na sjellë më shumë drejtësi, me shume qytetërim, më shumë garanci për të drejtat tona, dhe më shumë mundësi për zhvillimin tonë ekonomik dhe social. A e ka parasysh këtë gjë Edi Rama, kur akoma pas vitesh e vitesh, bllokon Gjykatën Administrative?"
Vlashaj i ka bërë thirrje deputetëve socialist që të mos e bllokojnë integrimin dhe të vendosin interesin kombëtar mbi atë partiak e personal. Ai i ka kujtuar politikanëve shqiptarë se 22 vite më parë studentët protestuan nën moton “E Duam Shqipërinë si gjithë Europa”. Vlashaj ka theksuar se nuk mund të bllokohet aspirata e çdo shqiptari për të qenë pjesë e Bashkimit Europian. Ai i ka bërë apel kreut të opozitës që të dëgjojë këshillat e aleatëve historikë të shqiptarëve, Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
“Kur akoma edhe pas këshillave në formë shpulle tingëlluese pas veshit, që deri tani kujdesshëm ia kanë dhënë miqtë tanë Amerikanë dhe Europianë, prapëseprapë rri e ngujohet në kullën e tij të egoizmit dhe arrogancës mospërfillëse ndaj popullit të tij, dhe ndaj aleatëve tanë më të mëdhenj në të gjithë Historinë tonë? Kjo është e pafalshme!”, ka theksuar kreu i Lëvizjes Shqipëria e Re.
a.k/noa.al
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





