Transmetuar më 22-11-2012, 11:47

Tiranë, 22 nëntor 2012, NOA – Ministri i Bujqësisë Genc Ruli dhe deputeti Erion Braçe kanë debatuar për shitjen e ullirit në vend. Deputeti i Qarkut të Beratit, Erion Braçe ka deklaruar se taksat dhe çmimet e larta të shërbimit po dëmtojnë prodhuesit e ullirit në Berat.

“Shpresoj të mos keni hyrë në Berat dhe të kini dalë me paruke qengji. Çmimet që referuat nuk janë realitet. Ulliri ekstra shitet sot me 500 lekë kilja. Kur fola për dëm ekonomik, kam parasysh dëmin që vjen nga shpenzimet për ullirin, punimi, krasitja, spërkatja”, tha Braçe pas deklaratave të ministrit Ruli për situatën me tregtimin e ullirit.

Ministri Ruli u shpreh se situata është nën kontroll dhe nuk ka probleme me mbi prodhimin e ullirit.  Ai tha se nuk ka ulje të çmimeve duke i krahasuar ato me vitet e tjera.

Më herët Kuvendi nisi punimet e seancës së radhës me pr/ligjin "Për aderimin e Republikës së Shqipërisë në Protokollin shtesë të Nagoja- Kuala Lumpurit "Për përgjegjësi dhe dëmshpërblim të Protokollit të Kartagjenës për biosigurinë”, të Konventës së biodiversitetit".

Axhenda e seancës së sotme përfshin dhe shqyrtimin e p/ligjit "Për Agjencinë e Inteligjencës së Mbrojtjes", si dhe disa  ndryshime në ligjin "Për përgjimin e telekomunikimeve". Sërish, pjesë e punimeve të sotme të Kuvendit janë dhe tre ligjet që kërkojnë shumicë të cilësuar, pr/ligji "Për nëpunësin civil", pr/ligji "Për Gjykatën e Lartë" dhe reforma parlamentare.

a.k/noa.al

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit