

Firenze, 21 nëntor 2012, NOA- Gjatë tentativës për t’i shpëtuar uniformave blu, një shqiptar ka tërhequr zvarrë me makinë për 20 metra, një polic si dhe ka plagosur dy të tjerë.
Ngjarja ka ndodhur në një zonë në Firenze, ku mësohet se shqiptari 42-vjeçar kishte shkelur rregullat e qarkullimit rrugor dhe kishte kaluar me semafor të kuq, raporton noa.al.
Pavarësisht kësaj, shqiptari me automjetin e tij “Citroen C2”, ka vijuar rrugën teksa përpara i ka dalë një patrullë policie, e cila i ka kërkuar të ndalonte pasi vërejti shkeljen e tij.
Ndonëse agjentët kanë këmbëngulur, shqiptari fillimisht u justifikua se nuk i kishte dëgjuar dhe njëri prej policëve është drejtuar pranë tij dhe i ka kërkuar të fikte makinën dhe t’i tregonte dokumentet.
Por, 42-vjeçari jo vetëm që nuk e ka dëgjuar kërkesën, por ka përfituar nga trafiku dhe ka shtuar shpejtësinë e automjetit, pa marrë parasysh faktin se polici ndodhej tek dera e hapur e makinës.
Sakaq, polici është tërhequr zvarrë me makinë për rreth 20 metra, e më pas ka rënë në trotuar ku dhe ka pasuar dëmtime trupore.
Shqiptari ka vijuar rrugën e tij ndonëse ndiqej nga patrullat dhe gjatë kësaj tentative arratisjeje ai është përplasur me një makinë të policisë dhe me një tjetër automjet tip “Ford” që drejtohej nga një femër, e cila ka pësuar vetëm dëmtime trupore.
Pas kësaj përplasje ku mbetën të plagosur katër persona, mes të cilëve tre policë dhe një femër, shqiptari ka tentuar të largohet në këmbë, por është ndaluar nga uniformat blu.
42-vjeçarit i janë vënë prangat dhe fillimisht ai është dërguar në spital për t’u mjekuar e më pas ka shkuar në burg.
b.gj/noa.al
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





