Transmetuar më 19-11-2012, 18:48

Varese, 19 nëntor 2012, NOA- Një shqiptar është arrestuar nga policia italiane pasi në banesën e tij i është gjetur një sasi e konsiderueshme droge.

Prej disa ditësh, 30-vjeçari shqiptar me banim në Itali ishte nën hetim nga ana e uniformave blu sepse dyshohej si shpërndarës i lëndëve narkotike, por ende policia nuk kishte prova konkrete, raporton noa.al.

Mbrëmjen e së dielës, karabinierët vunë re disa lëvizje të dyshimta të shqiptarit dhe e ndaluan për ta pyetur, por shqetësimi i shfaqur prej tij gjatë përgjigjeve të rreme, shtoi dyshimin e agjentëve të cilët zhvilluan një kontroll të përgjithshëm, si në makinë ashtu edhe në banesën e shqiptarit.

Fillimisht gjatë kontrollit të ushtruar në automjet policia gjeti disa çelësa si dhe një leje qëndrimi me emrin e të ndaluarit, ku ndodhej edhe adresa e një banese.

Apartamenti, çelësat e të cilit u gjetën në makinë, është kontrolluar nga policia dhe në sirtarin e një dollapi në kuzhinë, u gjetën të fshehura 40 doza kokainë si dhe disa pako më të mëdha me të njëjtën substancë, që ishin rreth 150 gramë.

Gjithashtu policia ka gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale një peshore elektronike, materiale të ndryshme që i riu shqiptar i përdorte për të paketuar lëndën narkotike, disa telefona celularë dhe një shumë të konsiderueshme parash.

Madje gjatë kontrollit, në njërin prej telefonave ka rënë zilja dhe në këtë moment është përgjigjur agjenti, i cili mësoi se bëhej fjalë për dy klientë që do blinin drogën.

Por kur këta dy të fundit shkuan në banesën e 30-vjeçarit, kanë gjetur atje policinë që i priste, dhe ata deklaruan se ishin blerës të shqiptarit, që përfundoi në pranga.

b.gj/noa.al

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit