

Tiranë, 19 nëntor 2012, NOA- Kryetari i Bashkisë së Tiranës Lulzim Basha priti sot në një takim, Kryetarin e Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi.
Duke iu referuar Rrugës së Kombit dhe vazhdimit të saj nga Morina në Prishtinë ai tha se, në këtë 100 vjetor, shqiptarët janë më pranë se kurrë me njeri tjetrin.
Kreu i Bashkisë së Tiranës Lulzim Basha shprehu kënaqësinë që priste në bashki, në këtë 100 vjetor të Pavarësisë, Kryetarin e Kuvendit të Kosovës, me një kontribut të rëndësishëm në luftën për çlirimin e Kosovës.
“Në këtë 100 vjetor të Pavarësisë Bashkia e Tiranës ka vendosur që pjesë e aktiviteteve të rëndësishme, të jetë edhe vendosja në Tiranë e shtatores së simbolit të qëndresës së shqiptarëve për liri, komandantit legjendar Adem Jashari. Flijimi i familjes Jashari ishte akt historik i pakrahasueshëm në historinë tonë. Vendosja e shtatores së Adem Jasharit është një homazh që i bëhet atij dhe të gjithë luftëtarëve që ranë për lirinë e Kosovës”, deklaroi Basha, citon noa.al.
Në vijim kryebashkiaku ka ftuar edhe Kryetarin e Kuvendit të Kosovës Jakup Krasniqi, të jetë pjesë e kësaj ceremonie.
Në këtë ceremoni që do të mbahet me nderet më të larta ushtarake, më 27 nëntor do të marrin pjesë drejtues të lartë nga qeveria e Kosovës dhe e Shqipërisë, pjesëmarrës në luftën e UÇK-së dhe familjarë të të rënëve në këtë luftë.
Krasniqi ka vlerësuar këtë vendim të Kryetarit të Bashkisë Basha, si një vlerësim për të gjithë luftëtarët që ranë për lirinë e Kosovës.
a.y/noa.al
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





