Transmetuar më 19-11-2012, 09:21

Gjirokastër, 19 nëntor 2012, NOA – Një person është arrestuar në Gjirokastër pasi ka tentuar të vrasë me armë zjarri xhaxhain e gruas pas një sherri. Ngjarja ka ndodhur pasditen e djeshme në lagjen Dunavat. Gjergji Çamani 31-vjeç ka tentuar të vrasë me një armë “Kallashnikov” Fetih Kotroçin, 47-vjeç.

Sherri ka nisur për motive banale në klubin e lagjes me xhaxhain e bashkëshortes, Fetih Kotroçi.  Më pas këta shtetas kanë dalë nga klubi ku kanë vazhduar debatin, ku Kotroçi në sherr e sipër ka qëlluar me sende të forta shtetasin Gjergji Çamani. Më pas Çamani ka shkuar menjëherë në banesë ku ka marrë një armë zjarri “Kallashnikov”  me dy karikatorë dhe është nisur në drejtim të banesës së Kotroçi për ta vrarë.

Ka qenë ndërhyrja në kohë e patrullës së përgjithshme të Komisariatit të Policisë Gjirokastër  që ka parandaluar krimin dhe ka bërë të mundur shoqërimin e Çamanit në polici.

Nga kontrolli i ushtruar në banesën e shtetasit Gjergji Çamani , rezultoi se në banesë kishte edhe një armë tjetër zjarri tip kallashnikov. Policia arrestoi Çamanin për armëmbatje pa leje dhe “vrasje e mbetur në tentativë”. Ndërsa Kotroçi ndiqet në gjendje të lirë për “plagosje të lehtë  me dashje”.

a.k/noa.al

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit