Transmetuar më 17-11-2012, 21:34

Tiranë, 17 nëntor 2012, NOA- Presidenti i Republikës, Bujar Nishani i akordoi Naltmadhnisë së Tij Zogut I, Mbretit të Shqiptarëve (Pas vdekjes) Urdhrin e Flamurit Kombëtar me motivacionin: "Figurë madhore e qendrore e historisë së Shqipërisë, që hodhi themelet e ndërtimit dhe funksionimit të shtetit modern shqiptar, me  orientim të qartë perëndimor europian. Ideator dhe realizues i administratës së parë të shtetit shqiptar, si dhe i një legjislacioni bashkëkohor të niveleve të larta, që do t’i hapte rrugë emancipimit shoqëror dhe zhvillimit të vendit. Personalitet që gjithë jetën e tij e lidhi me fatet e kombit, të Shqipërisë dhe të shqiptarëve”.

Presidenti Nishani mori pjesë sot në ceremoninë e rivarrimit të eshtrave të Mbretit Ahmet Zog, eshtrat e të cilit u kthyen në atdhe 51 vjet pas vdekjes dhe në kuadër të kremtimit të 100-vjetorit të Pavarësisë së shtetit shqiptar.

Gjatë fjalës së tij presidenti u shpreh se mbreti Ahmet Zogu është një nga figurat e historisë, që ka bërë shumë për ndërtimin e një shteti modern shqiptar.

“Sot, në prag të 100-vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë, është një gjest shumë fisnik, një detyrim historik, moral dhe patriotik yni që eshtrat e Mbretit Zog të prehen në vendin të cilit ai i kushtoi vitet më të mira të jetës; në vendin ku pati edhe kundërshtarë, po ku kujtesa e popullit do ta mbante gjallë emrin e Tij. Historia e vendit tonë nuk është e mbushur me bëma mbretërish dhe saga familjesh mbretërore. Por ajo nuk është një histori boshe. Vetë fakti që sot u bë e mundur kthimi e prehja e Mbretit Zog në tokën që e lindi, është shenjë dhe dukje e një shteti që të ardhmen e tij e ndërton  duke marrë më të mirën e mundshme nga e shkuara dhe e sotmja”, theksoi presidenti Nishani.

b.gj/noa.al

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit