Transmetuar më 17-11-2012, 18:58

Korçë, 17 nëntor 2012, NOA- Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama theksoi domosdoshmërinë e reformës dhe risistemimit të gjithë strukturës së arsimit.

“Ndërkohë që mund të gjesh në Shqipëri në çdo kilometër me qindra juristë, por është shumë e vështirë të gjesh një mësues matematike, njësoj siç është shumë e vështirë të gjesh një hidraulik apo një rrobaqepës. E pra, kjo kërkon një reformë dhe kërkon një risistemim të gjithë strukturës së arsimit tonë”, deklaroi kreu socialist, i cili ishte në Korçë, në kuadër të konsultimeve për programin e arsimit.

Duke analizuar situatën e rëndë të krijuar në sistemin arsimor Rama u shpreh se kjo është pasojë e drejtpërdrejtë e mungesës në vite të një strategjie të qartë qeverisjeje në këtë sektor, dhe shtoi se fëmijëve dhe të rinjve duhet t’u jepet çdo mundësi për të pasur një arsimim cilësor, raporton noa.al.

Sipas tij, sot në vend ka shumë fëmijë analfabetë për shkak të varfërisë, por edhe për shkak të mungesës së shkollave, për shkak të mungesës së mësuesve, për shkak të mungesës së cilësisë së arsimit qysh në klasën e parë.

Kreu socialist gjatë fjalës së tij nënvizoi se me ardhjen e PS në qeveri, nuk do ketë më mësues, që do kenë frikë të shkojnë në takime me opozitën apo me këdo qofshin tjetër.

“Sepse ne jemi qartësisht të ndryshëm nga ata që sot qeverisin në shumë gjëra. Por në qoftë se ka një gjë ku jemi kthjelltësish të ndryshëm është pikërisht se ata jo vetëm që bashkëjetojnë me injorancën, por e stimulojnë injorancën, sepse nëpërmjet injorancës mbajnë pushtetin. Ndërkohë, që ne nuk bashkëjetojmë dot me injorancën dhe për këtë arsye do stimulojmë dijen, do stimulojmë kurajën, do stimulojmë lirinë në shpirtrat e njerëzve, sepse vetëm nëpërmjet dijes, kurajës, lirisë në shpirtrat e njerëzve ne do mirëqeverisim Shqipërinë”, u shpreh Rama gjatë fjalës së tij.

Ndër të tjera ai renditi një sërë angazhimesh që programi për një Rilindje Shqiptare parashikon të realizohen në qeverisjen socialiste në 2013, për të mos e parë arsimin si një shtojcë të bezdisshme të buxhetit të shtetit, por për ta parë investimin në arsim si një detyrim atdhetar.

“Megjithatë, duke u fokusuar te çka duam të bëjmë ne, së pari është shumë  e rëndësishme që ne të angazhohemi që të mos bëjmë atë që është bërë deri më sot, për të mos e parë arsimin si një shtojcë të bezdisshme të buxhetit të shtetit, por për ta parë investimin tonë në arsim si një detyrim atdhetar, në funksion të një të ardhmeje që është përtej një mandati apo dhe dy mandatesh qeverisëse”, nënvizoi ai.

b.gj/noa.al

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit