Transmetuar më 17-11-2012, 14:59

New York, 17 nëntor 2012, NOA- Një i ri ishte përgatitur të kryente një masakër në kinema si ajo e 20 korrikut, (të ndodhur në Aurora, ku James Holmes vrau 12 persona dhe plagosi 58 të tjerë gjatë filmit “Batman”), por është ndaluar nga policia.

20-vjeçari Blaec Lammers kishte përzgjedhur si vendin e masakrës së tij, një kinema të Bolivar, në Missouri, ku shfaqej episodi i fundit i sagës “Twilight”, por plani është ndalur nga nëna e tij, e cila denoncoi në polici, raporton noa.al.

Nëna dyshonte tek djali i saj, pasi ky i fundit prej kohësh vuante nga shqetësime mendore, dhe prej ditësh kishte ndaluar pirjen e ilaçeve.

Më pas gruaja zbuloi se djali kishte fshehur në shtëpinë e tyre armë dhe municione, ndaj dhe lajmëroi menjëherë policinë amerikane.

Vet i riu ka pranuar planin kriminal, një plan i tmerrshëm sipas së cilit, djali do të kryente një masakër të vërtetë në kinema, e më pas do të drejtohej në një qendër tregtare për të qëlluar sërish mes njerëzve.

Qëllimi i tij, siç ai vet i ka treguar agjentëve, ishte vetëvrasja në rajonin më të afërt të policisë.

20-vjeçari ishte arrestuar në vitin 2009 pasi kishte lajmëruar se do të vriste me thikë të gjithë punonjësit e një supermarketi dhe pavarësisht kësaj ai ka mundur të blejë armë, me të cilat kishte planifikuar të kryente masakrën.

b.gj/noa.al

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit