Transmetuar më 17-11-2012, 12:52

Tiranë, 17 nëntor 2012, NOA – Në ceremoninë e zhvilluar për rivarrosjen e eshtrave të mbretit Zog I në Shqipëri, ka qenë e ftuar dhe presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga. Në fjalën e saj, Jahjaga ka vlerësuar se kthimi në atdhe i eshtrave të patriotëve është një detyrë që duhet kryer me krenari.

“Prehja në tokën tonë e të gjithë atyre burrave dhe grave që u përpoqën për atdheun është një amanet i mbetur peng, që ne duhet ta kryejmë me nder dhe me krenari. Kthimi i eshtrave të ministrit, kryeministrit, presidentit dhe mbretit Zogu I simbolizon paqen”, tha Jahjaga. Ajo shtoi se me këtë akt; “dëshmojnë urtësinë dhe fitojmë qetësinë shpirtërore si njerëz”.

Në fjalën e saj Jahjaga është ndalur në disa prej momenteve më kulmore të veprimtarisë së Ahmet Zogut, si politikan dhe si mbret. Ajo tha se ka mjaft gjëra që duhen vlerësuar të Zogu I.

“Shqipëria në drejtimin e Zogut, nga një vend i prapambetur u bë një vend me shtrirjen e shtetit në gjithë hapësirën e saj. Zogu ka kontribut në ndërtimin e shtetit, krijimin e kodit dhe statutit civil dhe penal. Caktimin e kufijve të shtetit, krijimin e shërbimit diplomatik”, tha ajo.

Presidentja Jahjaga tha se Zogu ka dhënë kontribut edhe për kosovarët që u dëbuan me dhunë gjatë viteve ’30 nga trojet e tyre. “Zogu dhe i gjithë populli i pritën me krah të hapur kosovarët që u larguan me dhunë nga trojet e veta. Është shumë humane ndihma që ju dha hebrejëve në kohën që përndiqeshin nga nazizmi”, tha Jahjaga.

a.k/noa.al

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit