Transmetuar më 17-11-2012, 11:29

Tiranë, 17 nëntor 2012, NOA- Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Astrit Patozi i ka bërë apel sot grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, që të ulen në diskutime për miratimin e tre ligjeve që lidhen me integrimin e vendit. Në një deklaratë të bërë sot për mediat, Patozi u shpreh se PS-ja duhet të jap konsensusin e saj për ligjet.

“Është absurde që të votohen lirimi i të burgosurve dhe të mos votohen ligjet që kanë të bëjnë me integrimin e Shqipërisë”, tha Patozi. Ai shtoi në 100 vjetorin e Pavarësisë, shqiptarët nuk meritojnë të mbeten larg ëndrrës evropiane.

“Në 100 vjetorin e pavarësisë nuk do të mbahet mend se kush mori pjesë në ceremoninë e nderimeve për pavarësinë, por kush bllokojë integrimin”, tha Patozi.

Ai shtoi se grupi parlamentar i PD-së është i gatshëm në çdo moment që të marrë pjesë në konsultime për tre ligjet. Apeli i PD-së vjen dy ditë pasi kryeministri Sali Berisha deklaroi se deri në datën 20 nëntor ka mundësi për konsensus për votimin e ligjeve të kërkuara nga BE. Ndërsa kreu i PS-së, Edi Rama ka kërkuar zhvillimin e një tryeze politike me partitë parlamentare disa ditë më parë.

"Të mos e shndërrojmë në peng çështjen e statusit. Ne jemi të gatshëm të ulemi e të diskutojmë për 3 projektet që Brukseli pret prej nesh. Ne nuk i shmangemi debatit e ballafaqimit. Parlamneti është tryeza më përfaqësuese. Grupi i PD mirëpret cdo sygjerim të palës tjetër”, tha Patozi.

a.k/noa.al

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit