Transmetuar më 16-11-2012, 20:26

Prishtinë, 16 nëntor 2012, NOA- Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi theksoi se ndarja e Kosovës është vetëm një ëndërr e parealizueshme e Beogradit dhe se me asnjë çmim, me asnjë kusht nuk do të negociohet e drejta për të ekzistuar si shtet.

“Pavarësia e Kosovës është vetëm vullneti ynë, nuk është vetëm realitet juridik në Kosovë. Pavarësia e Kosovës është fakt ndërkombëtar. Po ashtu dua t’iu siguroj që tërësia territoriale e Kosovës është e pacenueshme dhe e njohur ndërkombëtarisht. Nuk është, nuk ka qenë dhe nuk do të jetë në tryezë për diskutime. Të gjithë janë të vetëdijshëm që ndryshimi i kufijve do të hapte kutinë e Pandorës dhe do të prodhonte sërish konflikte dhe luftëra në Ballkan”, u shpreh Thaçi.

Kryeministri i Kosovës, informoi deputetët për takimin e dytë që zhvilloi me kryeministrin e Serbisë, Ivica Daçiç, të mbajtur më 7 nëntor në Bruksel.

“Ky dialog është në përputhje me Kushtetutën e Kosovës dhe Rezolutën e miratuar në Kuvend për normalizimin e marrëdhënieve mes dy shteteve tona. Më lejoni të theksoj se ky proces është tepër i rëndësishëm dhe është mundësia dhe rruga e vetme që mundëson normalizim të marrëdhënieve ndër-shtetërore dhe rrjedhimisht edhe njohjen e Kosovës nga Serbia në një fazë të më vonshme. Në takimin e dytë, kemi shënuar progres konkret sidomos në çështjen e zbatimit në praktikë të marrëveshjes teknike për Menaxhimin e Integruar të Kufirit”, theksoi ai.

Duke u ndaluar në detaje të këtij takimi, Thaçi informoi se ka diskutuar me Daçiç për çështjen e personave të zhdukur dhe kanë rënë dakort që kjo është një çështje humane dhe shumë e dhimbshme e cila duhet të zgjidhet patjetër dhe sa më shpejt.

“Çështja e dytë e diskutuar ndërlidhet me zbatimin në praktikë të marrëveshjes për Menaxhimin e Integruar të Kufirit. Lidhur më këtë çështje, ne jemi pajtuar që zbatimi në praktikë i IBM të filloj në muajin dhjetor, dhe atë në katër vendkalime kufitare: Bërnjak, Jarinjë, Merdarë dhe tek pika kufitare Dheu i Bardhë. Ndërsa, sa i përket dy pikave kufitare tjera, asaj të Mutivodës dhe të Muçibabës, zbatimi i IBM do të filloj në periudhë të më vonshme për shkak se në këto vendkalime kufitare aktualisht nuk ka qarkullim të mallrave, por vetëm të udhëtarëve dhe gjësendeve personale që ata i bartin me vete”, u shpreh ai, ku shtoi se EULEX-i do të ushtroj funksionet e tij në përputhje me Mandatin e dhënë nga Kuvendi në mënyrë të njëjtë në të gjitha pikat kufitare.

Sipas tij, çështja e tretë e rëndësishme që është adresuar në takimin e dytë ndërlidhet me nevojën e hapjes së Zyrave Ndërlidhëse ndërmjet dy shteteve.

“Unë mendoj se hapja e Zyrave Ndërlidhëse të cilat do të ofronin edhe shërbime për pajisje të qytetareve me dokumente udhëtime, dokumente të gjëndrës civile, pastaj promovim të investimeve dhe bashkëpunimit ekonomik, do të ishte shumë e rëndësishme. Sa i përket kësaj çështje, Serbia ende ka rezervat e saj sepse e kupton qartë se një hap i tillë, është edhe një hap më shumë drejt njohjes së Kosovës”, informoi Thaçi.

Ai theksoi se çështja e katërt që është diskutuar në takimin e dytë, ndërlidhet me domosdoshmërinë e transparencës së Serbisë për financimin e sektorëve të ndryshëm në Kosovë, e në theks të veçantë, financimin e strukturave paralele të sigurisë në veri të vendit, ndërsa çështja e pestë që është diskutuar në këtë takim ndërlidhet me masat për ruajtjen e trashëgimisë religjioze dhe kulturore serbe në Kosovë.

“Çështja e gjashtë e diskutuar ka të bëjë me ndërtimin e një projekti të përbashkët infrastrukturor i cili do të financohej nga Bashkimi Evropian. Fjala është për idenë tonë, për ndërtimin e autostradës Prishtinë- Merdare- Nish apo Prishtinë-Mutivodë-Leskovc. Komisioni Evropian mund të konfirmoj se tashmë ka pranuar që të financojë studimin e fizibilitetit për ndërtimin e kësaj autostrade. Ndërtimi i kësaj autostrade do t’i hapte edhe një portë Kosovës për tu lidhur me korridorin evropian”, u shpreh kryeministri Thaçi gjatë fjalës së tij në Parlament.

noa.al

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit