Transmetuar më 16-11-2012, 12:56

Tiranë, 16 nëntor 2012, NOA/Arjola Ymeraj- Në një kohë që ka nisur numërimi mbrapsht për votimin e tre ligjeve që kushtëzojnë statusin për Shqipërinë, kryetari i Partisë Socialiste Edi Rama i përsërit për të dytën herë publikisht Kryetarit të Partisë Demokratike Sali Berisha dhe gjithë kryetarëve të partive parlamentare, për zgjidhjen demokratike të problemit të Qarkut Fier dhe votimin e menjëhershëm të tre akteve të përcaktuara nga Komisioni Europian si të nevojshme.

Rama rishpreh publikisht nevojën e një tryeze të partive parlamentare që duhet të mblidhet një orë e më parë.

Kryesocialisti shpreh bindjen se një tryezë e të gjitha forcave parlamentare qeverisëse dhe opozitare mund të sjellë konsensusin e nevojshëm në këtë moment kur koha nuk pret.

“Kush e dëshiron vërtet statusin e kandidatit për Shqipërinë ka detyrimin të bëjë çdo përpjekje sot duke provuar se Shqipëria jo vetëm i miraton po dhe i zbaton ligjet. Kryetari i opozitës është i gatshëm të përmbushë detyrimin e opozitës dhe kryeministri nuk duhet t’i shmanget kurrsesi përmbushjes së detyrimit të qeverisë. Zgjidhja s’mund të vijë nga qëndrimet refraktare dhe as mund të gjendet jashtë ballafaqimit të hapur në tryezë mes forcave politike”, shprehet në qëndrimin e tij shefi i opozitës, citon noa.al.

Rama rinënvizon edhe njëherë se edhe pse shtete të rëndësishme anëtare të BE-së i konsiderojnë të pamjaftueshme këto tre akte për të miratuar statusin – pikërisht sepse është zbatimi i ligjeve dhe jo thjesht ligjvënia ajo çka kërkohet me të drejtë prej Shqipërisë, palët duhet të bëjnë të pamundurën deri në orën e fundit.

Sipas tij, zgjidhja e problemit të Qarkut Fier do të ishte edhe një shembull kuptimplotë i zbatimit të ligjit dhe do ndihmonte që përveç miratimit të tre akteve, qeveria e opozita t’i ofronin BE-së një shprehje të vullnetit të mirë për të miratuar e për të zbatuar ligjet.

Rama thekson se duke dhënë zgjidhjen qeveria dhe opozita mund t’i drejtohen pastaj me një apel të përbashkët të gjitha vendeve anëtare të Bashkimit Europian në prag të vendimmarrjes për statusin e kandidatit për Shqipërinë.

Në vijim në qëndrimin e posaçëm të kryesocialstit thuhet se, “Sot është Dita Ndërkombëtare e Tolerancës dhe edhe në respekt të kësaj dite të shënuar për mbarë botën demokratike, bëj këtë apel me thirrjen për t’u ulur në tryezën e zgjidhjes që kërkon interesi i vendit, fryma e demokracisë dhe e të drejtës”.

Edi Rama rinënvizon se problemin e Fierit e ka krijuar politika dhe mund dhe duhet ta zgjidhë politika.

Kreu i selisë rozë shton se i takon kryetarit të Partisë Demokratike, si Kryeministër i vendit, që ta pranojë detyrën për ta zgjidhur bashkë me opozitën problemin e Qarkut të Fierit, në frymën e ligjit, të dialogut të domosdoshëm dhe të vetë integrimit europian duke hapur kështu rrugën e miratimit të tre akteve.

Në përfundim theksohet se kryetari i Partisë Socialiste është gati të ballafaqojë pikëpamjet e veta në një tryezë me qeverinë ku duhet të dalë edhe zgjidhja e dëshiruar për Shqipërinë në këtë moment të rëndësishëm.

a.y/noa.al

Rama fton mazhorancën për dialog, Berisha: Është skemë bllokimi

“Fieri”, Rama fton Berishën dhe krerët e partive në tryezë

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit