Transmetuar më 16-11-2012, 10:03

Gjirokastër, 16 nëntor 2012, NOA – Një person i shpallur prej dy muajsh në kërkim, për trafik droge, është arrestuar nga policia e Gjirokastrës. Bedri Shehaj 29-vjeç, i cili ishte i shpallur në kërkim për “Trafik të  lëndëve narkotike”, pasi dy muaj më parë ka trafikuar drejt Greqisë 162 kg hashash është kapur nga policia gjatë mëngjesit të sotëm.

Shehaj, nuk është kapur nga policia në kohën kur transportonte lëndën narkotike, pasi braktisi automjetin me gjithë lëndë narkotike gjatë ndjekjes së policisë.

Ai është arrestuar sot në orën 03.00 , të mëngjesit nga Specialistët e Sektorit Kundër Narkotikëve në Drejtorinë e Policisë së Qarkut Gjirokastër. Shehaj ka qenë duke dalë nga fshati Lazarat dhe sipas policisë, informacioni i marrë në rrugë operative ka pasur të dhëna se sërish ai kishte blerë një sasi droge në këtë fshat.

Në vendin e quajtur Kordhocë ai është arrestuar nga policia në makinën e tij tip “Benz” me targa AA337 AL. Nga kontrolli i ushtruar në automjet nuk u gjet lëndë narkotike si dhe dokumenti i tij i identifikimit dhe i automjetit  ishin  me emër tjetër, jo me emrin që ky shtetas ishte i shpallur në kërkim.

Për t’i shpëtuar policisë personi i arrestuar ka ndryshuar emrin nga Toni Shehaj në Bedri Shehaj. Ai ishte i shpallur  në kërkim pasi Gjykata  e Rrethit Gjyqësor Gjirokastër  më datën 22.09.2012  ka caktuar  masën e sigurisë “Arrest në burg” për veprën penale të trafikut të lëndëve narkotike”. Shehaj në 5 shtator rreth orës 04.00 të mëngjesit, me një automjet me targa të huaja ka transportuar  një sasi prej 162.5 kg mariuanë nga fshati Lazarat në drejtim të kufirit jeshil me shtetin grek.

a.k/noa.al

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit