Transmetuar më 15-11-2012, 23:05

Tiranë, NOA.al/ Ariola Ymeraj – Zbulim shokues nga autoritetet policore shqiptare. Një operacion i shtrirë në kryeqytet dhe disa zona të tjera të vendit, deri tani ka zbuluar një sasi kokaine dhe heroine që në tregun e zi kap vlerën e të paktën 2.2 milionë euro dhe ka arrestuar katër persona, mes të cilëve dhe një agjent antidroge.

Arrestimi është bërë mbrëmjen e sotme nga Shërbimi Kontrollit të Brendshëm në Ministrinë e Brendshme, në bashkëpunim me Prokurorinë e rrethit Tiranë dhe drejtorinë e Policisë së Tiranës, raporton noa.al.

Sipas të dhënave zyrtare, SHKB arrestoi në kushtet flagrancës 31 vjeçarin Anoril Naim Cani, lindur në Pogradec, banues në Tiranë, me detyrë specialist në Departamentin e Antidrogës, në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit.

Po ashtu u arrestuan në kushtet e flagrancës edhe Gentian Vlash Gjoka, 38 vjeç, lindur në Cërrik, Ilir Petrit Shehaj, 46 vjeç, lindur dhe banues në Tiranë, i njohur me pseudonimin “Gjyshi” dhe Madrit Manush Dule, 38 vjeç, banues në Vorë, Tiranë.

Që të gjithë akuzohen për veprën penale, “Grup i strukturuar kriminal”, parashikuar nga neni 333/A, i Kodit Penal.

Në momentin e arrestimit të arrestuarve u janë kapur 8 kilogramë pluhur i bardhë që dyshohet për kokainë, mbi 31.3 kg heroinë, një pistoletë TT, si edhe 3100 euro dhe 111. 420 lekë të reja.

Gjithashtu, të ndaluarve u janë sekuestruar 8 aparate celularë dhe tre makina që transportonin lëndët narkotike. Ndërkohë, operacioni është shtrirë dhe vijon në Vorë, Elbasan dhe Tiranë në banesat dhe bazat e dyshuara.

Ndërkohë, në vazhdim të operacionit, Ne vijim te operacionit katër të ndaluarve u janë kapur gjatë kontrollit në vijimësi edhe 21 kilogramë heroine e pastër. a.y/noa.al

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit