

Tiranë, 15 nëntor 2012, NOA/Arjola Ymeraj- Në mbledhjen e Këshillit të Lartë të Drejtësisë u diskutua masa për gjyqtarin Neritan Tabaku i cili mungonte në këtë seancë.
Gjyqtari i Durrësit pritet të marrë masë disiplinore pasi ka lëshuar Ilir Xhakjan, vrasësin e kryekomisarit të Shijakut Adem Tahiraj.
Në fjalën e mbajtur me këtë rast Presidenti Bujar Nishani deklaroi se, askush nuk do mund të pengojë ushtrimin e funksioneve kushtetuese të Këshillit të Lartë të Drejtësisë dhe nuk do të ketë as pengesa proceduriale.
“Garantoj çdo anëtar të Këshillit të Lartë të Drejtësisë dhe çdo qytetar se do qëndrojmë në mënyrë të palëkundur për çdo dëm që i bëhet ligji. Jam dakord për respektimin e procedurave, por theksoj se KLD do mblidhet në një ditë të posaçme me një pikë të vetme në rend të ditës, shqyrtimin e masës disiplinore për gjyqtarin Neritan Tabakun”, deklaroi Nishani, citon noa.al.
Gjyqtari Tabaku mungonte në këtë mbledhje të KLD, ku pritej të mbahej një seancë dëgjimore për shkak të një raporti shëndetësor, që nga ana e anëtarëve të këtij këshilli u theksua se gjyqtari po zvarrit seancën.
Këshilli i Lartë i Drejtësisë pak kohë më parë pezulloi gjyqtarin e Durrësit, Neritan Tabaku, “për shpërdorim detyre” pasi jo vetëm nuk zbardhi vendimin për lirimin e të akuzuarit për vrasje Ilir Xhakja, por nuk depozitoi në kryesekretari fashikullin e gjykimit, duke penguar kështu zhvillimin e procesit në Gjykatën e Apelit Durrës.
Kujtojmë këtu se Ilir Xhakja ekzekutoi në Sukth të Durrësit, kryepolicin e Shijakut Adem Tahiraj, ndërsa më herët ka qenë i dënuar për vrasje, por se ishte liruar nga Gjykata e Durrësit dhe se vendimi i dhënë prej saj nuk ishte zbardhur nga gjyqtari Tabaku.
a.y/noa.al
Mos humbisni: Procedim penal për gjyqtarin Neritan Tabaku, liroi Ilir Xhakjan
Vrasja e Tahiraj, KLD: Hetim dosjes që liroi nga burgu Ilir Xhakja-n
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





