



Tiranë, 15 nëntor 2012, NOA- Kryediplomati shqiptar Edmond Panariti ka kërkuar nga Ministri i Jashtëm i Greqisë Dimitris Avramopulos që të dyja palët të japin kontributin e tyre për uljen e tensioneve të panevojshme mes dy vendeve.
Në një bisedë telefonike me homologun grek Panariti theksoi se tonet nacionaliste nuk i shërbejnë frymës së mirëkuptimit mes dy popujve dhe se të gjitha çështjet mes dy vendeve duhet të zgjidhen në interes të qytetarëve.
Siç informon noa.al biseda mes dy ministrave të jashtëm është bërë në kuadër të ftesës që Ministri i Jashtëm shqiptar i ka bërë Avramopulos për të marrë pjesë në festimet e 100 vjetorit të Pavarësisë më 28 nëntor, ftesë e cila u pranua nga kryediplomati grek.
Në vijim, dy ministrat konfirmuan përkushtimin e tyre të përbashkët për zhvillimin e mëtejshëm dhe thellimin e marrëdhënieve mes dy popujve.
Ndërkohë, zyra për shtyp e MPJ greke, lëshoi këtë komunikatë:
“Ministri i Punëve të Jashtme të Republikës së Greqisë, z. Dimitris Avramopulos, kishte ditën e sotme një bisedë telefonike me ministrin e Jashtëm shqiptar, Edmond Panariti, në vijim të ftesës së z.Panariti, ndaj ministrit Avramopulos, për të vizituar Shqipërinë më 28 Nëntor me rastin e kremtimit të 100 vjetorit të pavarësisë së vendit.
Në bisedë, të dy ministrat riafirmuan përkushtimin e tyre të përbashkët për zhvillimin e mëtejshëm dhe thellimin e marrëdhënieve bilaterale për të mirën e të dy popujve. Në këtë kontekst, z Avramopulos informoi homologun e tij që do të vizitojë Shqipërinë, ku ai do të ketë mundësi për t’u takuar me z Panariti dhe udhëheqjen tjetër të vendit.
a.y/noa.al
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





