Transmetuar më 15-11-2012, 14:02

Paradokse shqiptare apo abuzim me nevojën për strehim? Përgjigjen gjithsecili mund ta japë vetë, por një gjë është e sigurt: Në kulmin e krizës globale dhe sidomos asaj në Europë, në momentet kur shtëpitë në vendet e BE të kapura nga kriza po shiten “për pesë lekë” dhe në kohën kur kjo krizë e ka përfshirë Shqipërinë duke shkaktuar paralizë qarkullimi financiar, vjen një rritje e re e çmimeve të apartamenteve.

Banka e Shqipërisë e pohon zyrtarisht shtrenjtimin e shtëpive. Përmes një raporti vrojtues që ajo publikoi sot, thotë se vëren se ndonëse bankat po japin më pak kredi për shtëpi për shkak të kërkesës në rënie, çmimet e apartamenteve rezultojnë që të jenë rritur në pjesën e parë të këtij viti.

Referuar të dhënave, gjatë vitit 2012, indeksi i çmimit të banesave ka shënuar një rritje mesatare prej 3.3% në terma vjetorë kundrejt një rritjeje prej 2.3% të indeksit të çmimit të qirasë.

Sipas BSH-së, për tremujorin e tretë të 2012, është shënuar një rënie e indeksit të qirasë me 6.3%, në një nivel më të ulët se ai i fundit të vitit 2011, ndërsa indeksi i çmimit të banesave është rritur me 3.6%, duke qëndruar më lart se niveli i fundit të vitit 2011. Banka e Shqipërisë konstaton se indeksi i çmimit të banesave ka shënuar një rritje më të shpejtë se indeksi i çmimit të qirasë. Kredia për blerje pasurie të paluajtshme është tkurrur edhe në kushtet e një kërkese më të ulët nga individët, ndërkohë që cilësia e saj vijon të përkeqësohet.

Fakti që indekset e çmimeve të banesave janë rritur në një kohë kur kredia për blerje pasurie të paluajtshme është tkurrur, është një tregues i kompleksitetit të faktorëve që ndikojnë kërkesën për pasuri të paluajtshme, madhësinë e ndikimit të tyre në një periudhë kohe të caktuar dhe mund të jetë gjithashtu një tregues për nevojën e përmirësimit të metodologjisë së ndërtimit të indekseve. Sa i përket cilësisë së portofolit të kredisë për pasuri të paluajtshme, ajo vijon të përkeqësohet. Në qershor 2012, raporti i kredive me probleme për pasuri të paluajtshme shënoi vlerën 13 .9% në krahasim me 12.55% në dhjetor 2011. Në krahasim me totalin e portofolit të kredisë, cilësia e portofolit për pasuri të paluajtshme mbetet më e mirë për shkak të lidhjes më të fortë që ekziston mes huamarrësit, objektit të kredisë dhe kolateralit të saj.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit