

Tiranë, 14 nëntor 2012, NOA – Partia për Drejtësi Integrim dhe Unitet ka reaguar sot për kthimin e 150 shqiptarëve në pikën doganore të Kakavijës. Në një deklaratë për mediat, PDIU, thekson se kthimi i qytetarëve shqiptarë është politikë primitive e Greqisë.
“Partia Drejtësi, Integrim dhe Unitet dënon me ashpërsi kthimin në pikën kufitare të Kakavijës të 150 shqiptarëve, pa asnjë arsye të pranueshme. Kthimi në kufi i qytetarëve shqiptarë është një hakmarrje primitive nga pala greke, e cila nuk ka vend në Evropën e shekullit XXI. Ky incident tregon në thelb hipokrizinë e shtetarëve grekë, të cilët vetëm pak kohë më parë kishin premtuar se nuk do të kishte më kthim në kufi”, thuhet në reagimin e PDIU.
Nga ana tjetër, PDIU kërkon edhe reagimin e Ministrisë së Jashtme për këtë ngjarje.
“Ministria e Punëve të Jashtme duhet të kërkoj sqarime nga pala greke për këto incidente të rënda dhe të bëj të qartë se Shqipëria nuk do të pranojë më në asnjë rrethanë nëpërkëmbjen e qytetarëve të saj. Nëse nuk do të ekzistoj një zgjidhje institucionale, PDIU do t’i bashkangjitet nismës së Klubit të Patriotëve të Rinj për të bojkotuar çdo produkt grek në tregun shqiptar, nismë që jemi të sigurt se do të gjejë mbështetje masive të bashkëkombësit tanë”, thuhet në reagimin e PDIU. Reagimi i PDIU ka ardhur pas kontrolleve kthimit të 150 shqiptarëve në Kakavijë nga policia greke. Shqiptarët nuk janë lënë të hyjnë në Greqi.
a.k/noa.al
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





