

Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Ban Ki-Moon inkurajon Kosovën dhe Serbinë për rifillimin e dialogut me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian në mënyrë që të arrihet zbatimi i marrëveshjeve të arritura në dialogun teknik.
“Unë pres që të vazhdojë dialogu dhe shpresoj që normalizimi i marrëdhënieve të sjellë paqe dhe qëndrueshmëri në rajon”, citohet të ketë thënë Ban Ki-Moon.
Mediat serbe raportojnë se kanë parë raportin, të cilin Ban Ki-Moon do ta prezantojë në raportin e rregullt tre mujor në Këshillin e Sigurimit më 27 nëntor.
Në këtë raport, përfshihet periudha prej korrikut e deri në tetor të këtij viti dhe vlerësohet se janë bërë përparime në përpjekjet për zbatimin e marrëveshjeve të arritura në dialogun teknik.
Ban shkruan se në muajt e fundit pala shqiptare dhe ajo serbe kanë shprehur gatishmëri për tejkalimin e pengesave mes tyre, në mënyrë që të ecin përpara në rrugën drejt integrimit.
Por, ai thekson se kjo gatishmëri duhet të konkretizohet me zbatim të marrëveshjeve të arritura në dialogun teknik.
Duke folur për sigurinë, Ban ka theksuar se situata është relativisht e qetë por ai kujton incidentet në veriun e Kosovës.
“U bëj thirrje autoriteteve në Beograd dhe Prishtinë që të tregojnë durim dhe vullnet të mirë gjë që është e nevojshme për të siguruar paqen dhe sigurinë e lëvizjes”, thuhet në raportin e Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





