

Tiranë, NOA.al/A.Ymeraj-B.Gjevori – Kryetari i Partisë Socialiste Edi Rama i bëri një kërkesë publike sot mazhorancës, për t’u ulur të mërkurën në një tryezë për të zgjidhur problemin e rëndë të qarkut Fier duke iu referuar vendimit të Gjykatës së Lartë. Reagimi i PD dhe kreut të saj Berisha ka qenë i shpejtë, por refuzues: Me këtë kërkesë, z. Rama, dëshmon edhe një herë vullnetin e tij të pandryshuar, për të bllokuar votimin e këtyre ligjeve dhe statusin e kandidatit për Shqipërinë, – thotë partia kryesore e mazhorancës.
PD shprehet se është e gatshme të ulet në çdo tryezë, të diskutojë me PS çdo amendament apo propozim që ajo mund të paraqesë për tekstet e këtyre ligjeve që prej 2 muajsh presin të votohen në Parlament. Me këtë përgjigje, zyrtarisht PD i thotë jo ftesës së z.Rama. kjo është hera e dytë këtë vit, që Berisha refuzon ftesat e z.Rama. e para ishte para disa muajsh, kur kreu i PS e ftoi Berishën në një debat publik televiziv. Berisha çmoi se ftesa nuk mund të pranohej duke vlerësuar se nuk ka për çfarë të debatojnë dhe duke lënë të hapur një diskutim në prag të zgjedhjeve të vitit 2013.
Ftesa e z.Rama
Kryetari i Partisë Socialiste Edi Rama i bën apel kryetarit të Partisë Demokratike, atij të LSI, si edhe kryetarëve të PDIU e të PR për një përpjekje të përbashkët për zgjidhjen e problemit të Fierit dhe hapjen e rrugës për votimin e Rregullores së re të Parlamentit si edhe dy ligjeve të përcaktuara nga Komisioni Europian si të nevojshme (edhe pse jo përcaktuese) në rrugën e marrjes së statusit.
Edi Rama shpreh publikisht mendimin se një tryezë e partive parlamentare nesër është një mundësi për të zgjidhur problemin e rëndë të qarkut Fier duke iu referuar vendimit të Gjykatës së Lartë.
Kryetari i Partisë Socialiste është i gatshëm të ulet në tryezë së bashku me të gjitha forcat parlamentare qeverisëse dhe opozitare për të adresuar këtë problem në një përpjekje vullnetmirë për t’i hapur rrugë zbatimit të vendimit të gjykatës dhe po ashtu miratimit të tre akteve që kërkojnë votën e opozitës. Kush e dëshiron vërtet statusin e kandidatit për Shqipërinë ka detyrimin të bëjë çdo përpjekje deri në fund dhe Edi Rama është i gatshëm për ta përmbushur detyrimin e opozitës duke e bërë deri në fund përpjekjen në emër të Partisë Socialiste.
Pavarësisht se një numër vendesh anëtare të BE shkojnë shumë përtej këtyre tre akteve në gjykimin e tyre për çka Shqipëria nuk ka përmbushur, opozita shqiptare nuk ngurron të eksplorojë çdo mundësi që së paku këto tre akte të miratohen.
Duke nënvizuar se Partia Socialiste është e vendosur të mbrojë bindjen se çështja e Fierit është një çështje e demokracisë në Shqipëri, dhe po ashtu se integrimi europian nuk është vetëm ligjvënie po edhe zbatim i ligjit, Edi Rama shpreh vullnetin e mirë për t’u ulur në tryezën e dialogut që nesër dhe për të kërkuar rrugën e zgjidhjes së bashku me palën kundërshtare në emër të interesit të vendit.
Çështja e Fierit është një çështje e funksionimit të demokracisë e të shtetit të së drejtës dhe çështja e miratimit të tre akteve është një çështje e integrimit që s’mund të kuptohet pa funksionimin e demokracisë e të shtetit të së drejtës. Problemin e Fierit e ka krijuar politika dhe mund e duhet ta zgjidhë politika. Partia Socialiste është gati të japë kontributin e saj deri sekondën e fundit.
I takon kryetarit të Partisë Demokratike, kryeministër i vendit, që ta pranojë ose jo idenë e një ballafaqimi të drejtpërdrejtë për këtë çështje, në një tryezë të partive parlamentare. E nëse e pranon edhe të caktojë orën dhe vendin e ballafaqimit.
Përgjigjja e PD
Pas bllokimit prej dy muajsh të votimit në Parlament të tre ligjeve të kërkuara nga Komisioni Evropian si kushte për statusin kandidat të vendit dhe pasi vendosi në mbledhjen e paradites së sotme të Grupit Parlamentar te Partisë Socialiste, bllokimin ditën e enjte të votimit të këtyre ligjeve, zoti Rama botoi sot pasdite një deklaratë në të cilën përpiqet të shpërndajë përgjegjësinë e bllokimit të votimit të këtyre ligjeve me forca të tjera parlamentare që kanë qenë dhe janë të gatshme në çdo kohë për votimin e tyre
Kështu, në deklaratën e tij ai lidh përsëri votimin e ligjeve në Parlament me situatën e Fierit, gjëra këto, që nuk kanë asnjë lidhje me njëra-tjetrën. Për më keq, ai kërkon thirrjen e tryezës politike të partive parlamentare për të zgjidhur problemin e qarkut të Fierit, duke iu referuar vendimit të Gjykatës së Lartë dhe për t’i hapur rrugë zbatimit të vendimit të kësaj gjykate.
Me këtë kërkesë, z. Rama, dëshmon edhe një herë vullnetin e tij të pandryshuar, për të bllokuar votimin e këtyre ligjeve dhe statusin e kandidatit për Shqipërinë.
PD është e gatshme të ulet në çdo tryezë, të diskutojë me PS çdo amendament apo propozim që ajo mund të paraqesë për tekstet e këtyre ligjeve që prej 2 muajsh presin të votohen në Parlament.
PD ka ofruar zgjidhje politike dhe kushtetuese për Qarkun e Fierit, mocionin për të gjithë këshilltarët e saj, pikërisht atë akt ligjor të cilin Partia Socialiste me këshilltarët e saj e ka ushtruar:
– me datë 29/06/2012 në Komunën Dremenas,
– në dt. 28/08.2012 në prani të ish Kryeministrit Fino në Bashkinë Divjakë,
– me dt. 26/01.2012 në Komunën Bubullimë, ku ka hequr përfaqësues të shumicës dhe ka zgjedhur z. Alban Mësonjësi, përfaqësues të PS për anëtar të Këshillit të Qarkut,
– me dt24/08.2012 në Fier Shegan.
Në cdo vend të lirë demokratik, zbatimi i vendimeve të Gjykatës është një detyrim ligjor kushtetues i Institucionit të Përmbarimit dhe organeve të tjera të zbatimit të ligjit, të cilat funksionojnë vendosmërisht në të gjitha rastet që u kërkohet nga palët e interesuara . Zbatimi i tyre nuk mund të pengohet nga asnjë forcë e vetme politike apo disa forca të mara së bashku, ndaj edhe kjo nuk mund të jetë çështje e një debati tryezash partiake por është detyrim madhor kushtetues.
Po në këtë kontekst, sot në qytetin e Fierit, Gjykata kishte përcaktuar seancën gjyqësore për gjykimin në themel të çështjes së Qarkut të Fierit. Ishte PS që kërkoi shtyrjen për dy javë të tjera të gjykimit të çështjes për arsye të cilat i di vetëm z. Rama.
Gjatë kësaj periudhe PD ka bërë çdo gjë për të gjetur zgjidhje ligjore dhe kushtetuese për problemin e Fierit, i cili nuk ka asnjë lidhje me votimin e ligjeve në Parlament, kurse z,Rama çdo ditë ka kërkuar dhe mbrojtur pretekste absurde për bllokimin e këtyre ligjeve të një rëndësie jetike për integrimin e vendit. a.y/b.gj/noa.al
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





