Transmetuar më 13-11-2012, 19:51

Prishtinë, 13 nëntor 2012, NOA- Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi në takimin e zhvilluar me ambasadorët e shteteve të Kuintit, i ka informuar ata për takimin e dytë që zhvilloi me kryeministrin serb, Ivica Daçiç, pak ditë më parë në Bruksel.

Si çështjen më prioritare të diskutimit, kryeministri Thaçi ka prezantuar çështjen e zbardhjes së fatit të të zhdukurve, që sipas tij është një çështje shumë e dhimbshme për të gjithë në Kosovë.

Po ashtu Thaçi ka prezantuar edhe temat e tjera të takimit, që kishin të bënin me zbatimin e Marrëveshjes për Menaxhimin e Integruar të Kufirit, hapjen e Zyrave Ndërlidhëse në Prishtinë dhe Beograd, masat shtesë për mbrojtjen e trashëgimisë së kishave dhe manastireve në Kosovë, zhbërjen e strukturave paralele ilegale serbe në Kosovë, si dhe tema e fundit e diskutuar, që ishte bashkëpunimi ndërshtetëror në infrastrukturën rrugore për vazhdimin e autostradës nga Vërmica në drejtim të Prishtinës, për në kufirin me Serbinë.

Kryeministri Thaçi ka ritheksuar se në këtë proces të normalizimit të marrëdhënieve mes shtetit të Kosovës dhe Serbisë do të sigurojë transparencë maksimale dhe se platformë kryesore e këtij procesi mbetet Kushtetuta e Republikës së Kosovës.

“Një nga parakushtet për integrim është edhe forcimi i bashkëpunimit rajonal dhe fqinjësia e mirë, dhe në këtë kuadër procesi i normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet shtetit të Kosovës dhe Serbisë është i një rëndësie të veçantë dhe është në të mirën e të dyja shteteve dhe rajonit në tërësi”, është shprehur Thaçi.

Nga ana e tyre, ambasadorët e shteteve të Kuintit kanë shprehur mbështetje të plotë për përkushtimet e kryeministrit Thaçi dhe të qeverisë së Kosovës për procesin e normalizimit të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë, duke vlerësuar se kjo është rruga e duhur për të avancuar proceset integruese.

noa.al

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit