

Tiranë, NOA.al/B.Gjevori – Mbërrin “14 vjeç dhëndër”, një komedi teatrale mbi motivet e veprës me të njëjtin emër të shkrimtarit të famshëm shqiptar Andon Zako Çajupi.
Përshtatur për vënie në skenë me tekst të Elma Doresi dhe Devis Muka dhe me regji të Elma Dorezit, komedia teatrale ka si drejtor artistik Suela Konjari.
Në këtë komedi e cila premierën do ta ketë më 16 nëntor në Teatrin e Metropolit, interpretojnë kryesisht aktorë të rinj, si Marsela Lena, Klodian Hoxha, Devis Muka, Arjeta Dhima, Lorenc Kaja, Eriona Kakeli, Genti Deçka, Alban Musa, Ajlin Petrela, Aldion Matarangasi, Klaus Laçi.
Sinopsi
Tana do të martojë të birin katërmbëdhjetëvjeçar me një vajzë më të madhe se ai: ajo "nuk do nuse për sisë, po për punët e shtëpisë". Kjo bëhet shkak për një varg situatash e skenash komike dhe batutash plot humor që fshikullojnë mendësi të mykura, patriarkale e zakone të prapambetura. Dritëshkurtësia e një nëne, që është bartëse dhe viktimë e patriarkalizmit, dembelizmi i burrave të malësisë dhe kapadaillëku i tyre, grindjet e kota dhe thashethemet e një mjedisi të prapambetur, figura groteske e një prifti qejfli, të gjitha vihen në lojë me një ton hokatar që përshkruan dialogun e personazheve.
Imazhi regjisorial
Komedia “14 vjeç dhëndër”, premiera e së cilës do të jetë, të enjten në mbrëmje, në 16 nëntor 2012, do të vijë në një këndvështrim regjisorial ndryshe, ku nuk do të mungojnë elemntet si: folk në kostumografi, në muzikë e cila do të interpretohet live nga aktorët, apo këngë të bazuara në poezitë e Çajupit, të kënduara nga vetë protagonistët e shfaqjes. Gjithë shfaqja, e cila është një ripunim mbi motivet e Çajupit, është menduar të mbahet në zhanrin e groteskut. Ky zhanër do të përfshijë si në interpretimin e roleve ashtu edhe në skenografi dhe kostumografi. Është bërë një adaptim i tekstit të bazuar tek Çajupi me të njëjtët personazhe, por duke sjell skena dhe karaktere të ndryshëm dhe interesant. Nuk do të ketë ndryshim kohe, por ndryshim në strukturë, kostumografi, skenografi dhe interpretim.
Imagjinoni një Tanë, e cila është “Play”, një Vangjel që është “Pause” dhe një Kote e cila është “Repet”. Imagjinoni për një moment të vetëm nëse njerëzit nuk do të mendonin më, ndjenjat do të zbeheshin. Njerëzit do të vetëprocedonin… çdo fjalë, çdo ngjarje do të regjistrohej dhe do të interpretohej në të njëjtën mënyrë… Imagjinoni sikur për një moment të vetëm nuk do të kishim përball qenie njerëzore, por vetëm disa mekanizma, kaseta, të cilat nuk do dëgjojnë, nuk marrim mendim, nuk ndjejnë,e vetmja gjë është një shirit i cili do të përmbaje disa regjistrime të cilat do të thonë atë çka ata kanë dashur të dëgjojnë. Njerëz që për vite me radhë përsërisin të njëjtën gjë, njerëz që për vite me radhë qëndrojnë në heshtje, apo njerëz të cilët për vite me radhë do të thonë të njëjtën gjë. E pra këtu nuk do të kishte më dialog, nuk do të kishte më perceptim, nuk do të ekzistonte më fjala: Njeri! Ky do të jetë dhe imazhi regjisorial… Njerëz të cilët janë parë të ngjashëm me disa kaseta regjistrimi…
Skenografia
E gjithë skenografia do të jetë e përbërë me elemente të kasetës, një ndër to është dhe kryesori regjistrimi. Eshtë e ngritur mbi simbolin, atë çka dhe vetë personazhet përfaqësojnë, dhe janë pikërisht fjalët e tyre, atë çka ato thonë apo veprojnë të cilët do të vijë dhe qëndrimi regjisorial, do të vij një moment kur vet atë çka ato kanë thënë, ato çka ato kanë bërë,do të jetë dhe fundi i tyre.
Kostumet
Kostumografia do të jetë një element tjetër i cili do të sjellë ndryshime në këtë pjesë, kostume të stilizuara me elementet folk, por të së njëjtës linjë me skenografinë!
Personazhet
Një nga trajtimet e personazheve do të jetë ndryshimin i gjinive jo tek aktorët por në interpretimin e personazheve, që do të thotë, gratë do të sillen si burra dhe burrat si gra. Gjë që do të vihet re kryesisht tek dyshja kryesore, Tanë dhe Vangjel, si në interpretim, ashtu dhe në kostumografi. Po të njëjtën linjë do të ketë dhe dyshja Marigo-Gjino. b.gj/noa.al
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





