

Tiranë, 13 nëntor 2012, NOA- Kryetarja e Kuvendit Jozefina topalli në mbledhjen e Këshillit të Legjislacionit hodhi në shqyrtim propozimin e projektvendimit “Për numërtimin e legjislaturave të Kuvendit të Shqipërisë”.
Kryeparlamentarja Jozefina Topalli siç raporton noa.al propozoi se numërtimi i legjislaturave të Kuvendit të Shqipërisë fillon prej Legjislaturës së Parë, e mbledhur më datë 15.4.1991, dhe vazhdon me legjislaturat pasardhëse.
“Numërtimi i legjislaturave të Kuvendit të Shqipërisë fillon prej vitit 1946, me legjislaturën e parë, kur u instalua shteti komunist dhe vazhdon i pandërprerë edhe pas shembjes së këtij regjimi, miratimit të dispozitave kryesore kushtetuese të vitit 1991 dhe Kushtetutës së vitit 1998. Numërtimi i legjislaturave nuk është bërë mbi bazën e ndonjë kriteri ligjor, shkencor apo zakonor parlamentar sikurse ka ndodhur te të gjitha parlamentet e vendeve të tjera, përfshirë edhe ato ish-komuniste. Pavarësisht nga ndryshimet që ekzistojnë në mes të shteteve europiane, numërtimi i legjislaturave të këtyre shteteve ka marrë si kriter thelbësor periudhat në të cilat kanë kaluar këto shtete sidomos kuadrin kushtetues të tyre. Miratimi i kushtetutave të reja ka sjellë fillimin e një numërtimi të legjislaturave në parlamentet e këtyre vendeve”, deklaroi Topalli, citon noa.al.
Kryetarja e Kuvendit theksoi se miratimi i kushtetutave të reja ka sjellë fillimin e një numërtimi të legjislaturave në parlamentet e këtyre vendeve dhe në të gjitha periudhat e historisë së këtyre shteteve ka një numërtim të legjislaturave të parlamenteve.
Sipas saj, është e nevojshme që numërtimi i legjislaturave në Kuvendin e Shqipërisë të bëhet mbi të njëjtat kritere dhe baza sikurse edhe në vendet e tjera europiane ku në themel është miratimi i kushtetutave të reja.
Ky projektvendim mori miratimin në Këshillin e Legjislacionit, i cili pritet të miratohet në seancën parlamentare.
a.y/noa.al
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





