

Tiranë, 13 nëntor 2012, NOA – Kryeministri Sali Berisha, deklaroi sot në konferencën për Zhvillimin e Tregut të Gazit në Shqipëri, se vendi është drejt transformimit në një superfuqi për energjinë.
“Shqipëria është mirënjohës këtij projekti dhe qytetarët shqiptarë përfitojnë në maksimum nga përdorimi i gjerë i gazit. Shqipëria është në rrugën e transformimit të një superfuqie energjetike, sepse ka rezerva ujore dhe nën ujore, ka depozita hidrokarbure”, tha Berisha. Kreu i mazhorancës ka theksuar se mjaft prej kompanive serioze në arën ndërkombëtare janë duke parë mundësitë e investimeve në këtë vend.
“Kompanitë më serioze janë duke eksploruar në zona të ndryshme të vendit dhe suksesi është i pashmangshëm. Shqipëria po punon me intensitet qër të përmirësuar klimën e biznesit. Qeveria ka marrë masa që Shqipëria të renditet në një vend të lakmueshëm nga kompanitë”, u shpreh Berisha.
I pranishëm në këtë konferencë ishte edhe ambasadori i BE-së në Shqipëri, Ettore Sequi, i cili i bëri apel përfaqësuesve të TAP, pjesëmarrës në konferencë që të shfrytëzojnë tregun shqiptar që ka nevojë për gaz, por njëkohësisht të investojnë.
a.k/noa.al
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





