

Prishtinë, 11 nëntor 2012, NOA- Kryeministri Hashim Thaçi kundërshton çdo mundësi të ndarjes së Kosovës.
Për më tepër, ai është shprehur se ndihet i lodhur duke dhënë përgjigje në propozime të tilla nga Serbia që, sipas tij, nuk mund t’u shërbejnë as rrëmujave të brendshme serbe.
Ai nënvizon se serbët janë duke rrezikuar të ardhmen e tyre evropiane, përderisa e dinë se çështja e kufijve në Ballkan është e zgjidhur.
“Nëse Serbia vazhdon të insistojë në ndryshim kufijsh, jo vetëm me Kosovën, atëherë kjo gjë do të mund të kthehet kundër saj dhe duhet ta dije se po luanë me zjarr”, është shprehur Thaçi.
Ndërsa, takimin me kryeministrin serb, Thaçi e ka quajtur bilateral dhe ka theksuar se në takim ka përfaqësuar qeverinë e Kosovës dhe në jakën e këmishës ka pasur flamurin dhe stemën e Kosovës.
Kryeministri Thaçi gjithashtu është shprehur se takimi ka qenë në shenjë të barazisë së plotë dhe është mbajtur nën patronazhin e Bashkimit Evropian dhe ka qenë takim i kryeministrave të dy vendeve sovrane.
Sipas tij, Kosova është shtet i pavarur dhe së shpejti do të jetë anëtarë i OKB-së.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





