

Reggio Emilia, 11 nëntor 2012, NOA- Pas disa muaj hetimesh, policia italiane ka arrestuar trafikantin e lëndëve narkotike, i cili njihej me emrin “Claudio”.
Një 22-vjeçar shqiptar, emigrant në Itali kishte muaj që i “fshihej” policisë duke përdorur pseudonimin “Claudio” dhe shpërndante i qetë lëndë narkotike, raporton noa.al.
Por kjo veprimtari nuk ka zgjatur shumë kohë për të riun shqiptar, pasi gjatë një hetimi ai është zbuluar nga agjentët e anti-drogës dhe është prangosur.
Mbrëmjen e së shtunës, policia italiane arrestoi 22-vjeçarin shqiptar me inicialet K. Sh, i cili akuzohet për shpërndarje të kokainës.
Sipas akuzës së ngritur ndaj tij, i riu shqiptar u shpërndante kokainë në doza rreth një gramë secila, me çmimin 70-80 euro, të rinjve italianë dhe gjithashtu gjatë periudhës korrik-shtator ai ka kryer disa shpërndarje.
Hetimi ka nisur pasi përdoruesit e kokainës pas pyetjeve të shumta, deklaronin se lëndën narkotike e blinin tek një person që njihej me emrin “Claudio”, për të cilin asnjë nuk dinte detaje të tjera.
Por, kur karabinierët kanë përgjuar bisedat telefonike të “Claudios”, ishte e lehtë për ta, gjetja dhe arrestimi i shpërndarësit të lëndës narkotike.
22-vjeçari shqiptar banor në Casalmaggiore, i cili njihej me emrin “Claudio”, është arrestuar mbrëmjen e së shtunës në Castelnovo Monti, në provincën e Reggio Emilia, me akuzën e shpërndarjes së lëndëve narkotike, pas hetimeve të ngritura nga prokuroria.
b.gj/noa.al
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





