

Tiranë, 11 nëntor 2012, NOA – Në jubileun e 100 vjetorit të Pavarësisë, Kuvendi i Shqipërisë pret nxënës e studentë nga e gjithë Shqipëria. Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli tha se kjo vizitë e nxënësve, në tribunën e demokracisë, në shtëpinë e të gjithë shqiptarëve, merr një kuptim të veçantë në këtë vit historik të 100 viteve të Pavarësisë së Shqipërisë.
Gjatë bisedës me nxënësit, Kryetarja e Kuvendit ndau me ta refleksione mbi 100 vitet e shtetit shqiptar, duke theksuar se ky ka qenë një shekull i vështirë, një rrugë e trazuar gjatë të cilës shqiptarët kanë kaluar dy luftëra botërore, pastaj një gjysëm shekulli nën diktaturën komuniste.
Topalli vuri në dukje se Shqipëria është vendi që falë përpjekjeve të vazhdueshme dhe punës së jashtëzakonshme arriti të rekuperojë shekuj të tërë gjatë të cilëve ora e historisë ishte ndalur. Ky është një vend që ka pasur një histori shumë të vështirë por që sot, falë reformave të guximshme është anëtar në NATO, vend që ka bërë mundur heqjen e vizave që qytetarët të lëvizin të lirë në Europë, që ka bërë të mundur rritje ekonomike pa rënë në recesion pavarësisht krizës globale, vend që tashmë pret votën e opozitës për 3 ligjet e integrimit në mënyrë që të marrim statusin e vendit kandidat e të përshpejtojmë hapat drejt anëtarësimit të plotë në familjen europiane.
Ajo theksoi se është shumë e rëndësishme që shqiptarët, veçanërisht të rinjtë ta njohin historinë e tyre ashtu siç është, me të gjitha të vërtetat dhe dritëhijet e saj, për të kuptuar më mirë çfarë duhet të projektojnë në të ardhmen. “Unë, kam një optimizëm të madh se ky vend në vitet e ardhshme do të bëhet edhe më i bukur, edhe më i zhvilluar dhe me prosperitet edhe më të madh”, tha Topalli.
a.k/noa.al
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





