

Vlorë, 11 nëntor 2012, NOA – Deputetja socialiste Valentina Leskaj, njëherësh Kryetare e Komisionit të Arsimit dhe deputeti Fatmir Toçi kanë qenë në fshatin Hor-Vranisht për të diskutuar mbi problemet e arsimit.
Dy deputetët e PS-së kanë parë nga afër kushtet zhvillimit të procesit mësimor dhe kanë shprehur shqetësimin për kushtet e papranueshme.
Duke folur për mediat Leskaj tha se “me kushtet në të cilat bëhet mësimi, me cilësinë e stafit pedagogjik ku ka mësues që janë të ciklit të ulët dhe japin mësim në ciklin e lartë, situata bëhet e patolerueshme. Ndërkohë që ka mësues që kanë mbaruar universitetin, kanë kualitete të larta dhe rrinë papunë dhe kjo është besoj për arsye politike.”
Leskaj u përqendrua edhe në problematikën e transportit e cila shton braktisjen e shkollës për arsye ekonomike: “Ka problem të mëdha lidhur me transportin e nxënësve për shkak se është ulur kuota e transportit dhe është bërë e pamundur për t’u përballuar edhe nga furgonat. Përshembull këtu ku jemi, në këtë shkollë ata nxënës që vijnë nga Bolena e kanë filluar shkollën një muaj me vonesë. Fëmijët e Kudhësit nuk po shkojnë dot në shkollë. Është një shkollë e përbashkët në qendrën e komunës. Po kështu fëmijët e Pilurit kanë probleme dhe vështirësi të mëdha përsa i përket transportit.”
Leskaj ka vënë theksin edhe tek premtimi i kryeministrit për internet në çdo shkollë apo në çdo klasë: “Kryeministri ka deklaruar se kemi kaluar nga internet në çdo shkollë në internetin në çdo klasë. Ju keni qenë në ambientet brenda, ashtu si dhe unë, dhe i keni parë se në çfarë kushtesh mësojnë fëmijët. Në radhë të parë kanë nevojë për disa kushte minimale, nuk po flas për klasat kolektive, nuk po flas për mungesat e laboratorëve, por flas që këtu mungojnë disa kushte minimale higjenosanitare. Kjo është një gjende shumë shqetësuese, dramatike dhe ne nuk mund të pretendojmë cilësi arsimi në këto kushte”, tha Leskaj.
a.k/noa.al
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





