Transmetuar më 11-11-2012, 12:23

Tiranë, 11 nëntor 2012, NOA – Gjatë vizitës në një prej fermave më të mëdha të prodhimit të mishit në vend, ministri i Bujqësisë, Ushqimit dhe Mbrojtjes së Konsumatorit, Genc Ruli deklaroi tha se nuk do të mungojë mbështetja për ata fermerë dhe investitorë që do të dinë t`i përshtaten kërkesave të tregjeve.

Në Fermën “Kompleksi Maçi 2003”, ministri tha se vitet e fundit po rritet gjithnjë e më shumë prodhimi i mishit në vend, duke arritur kështu zëvendësimin e mishit të importit. “Në Shqipëri kryesisht mbizotëron kultura e rritjes së gjedhit për prodhim qumështi dhe është mjaft pozitive, në aty kemi mjaft avantazhe konkurruese me vendet e tjera, por mendojmë që dhe disa ferma bazë të fuqishme të prodhimit të mishit të jenë prezente në treg. Ne nga gjedhi vendas realizojmë rreth 50 për qind të nevojës për mish dhe është një përparim i madh.  Është pozitive që po rritet numri i fermave me mbi 5-6 lopë. Ne me skemat tona synojmë që të arrijmë te numri që e bën të leverdishme fermën, me mbi 6 lopë,”, – tha ministri Genc Ruli.

Duke biseduar me administratorët dhe punëtorët e kësaj ferme që arrin të mbarështojë deri në 1200 krerë në vit, ministri Ruli tha se skemat mbështetëse që janë aplikuar deri më tani kanë qenë të studiuara dhe të kujdesshme, duke qenë efektive.

Gjatë bisedës, ministri tha se nuk mund të aplikohen ndryshime radikale në sistemin fiskal, apo në skemat e mbështetjes, pasi kështu do të kishte pasoja negative për fermerët dhe ekonominë. “Ne po studiojmë dhe synojmë që në skemat e vitit që vjen të lehtësojmë prezencën në treg të këtyre fermave të përqendruara. Sigurisht forma më e thjeshtë është të thuash do të heqim TVSH-në. Por nga heqja e TVSH-së, nga eksperimentet që janë bërë dhe më parë në politikat fiskale, është parë që përfiton tregtari, importuesi dhe pak i ngelet fermerit dhe prodhuesit të mishit apo qumështit. Prandaj ne do të shohim me kujdes që çdo lehtësi, heqja e TVSH-së apo e taksave doganore të shkojë drejt për së drejti te ai që ne duam të ndihmojmë, të shkojë te fermeri, te komplekset e mëdha të qumështit dhe mishit. Unë e quaj pozitive që deri më tani nëpërmjet aplikimit të skemave të kemi një orientim të blegtorisë, drejt fermave gjithmonë e më të mëdha. Pra po kuptohet nga vetë blegtorët që leverdia është kur arrihet te fermat e mëdha”, – tha ministri i Bujqësisë, Ushqimit dhe Mbrojtjes së Konsumatorit.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit