

Tiranë, 9 nëntor 2012, NOA/Arjola Ymeraj- Vdekja e 11 vjeçarit Denis Alimadhi gjatë operacionit në sy për rënie qepalle ka sjellë reagimin e Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza”.
Mjeku Besim Boçi deklaroi se vdekja e të miturit ka ndodhur në mes të operacionit edhe pse Denisi kishte hyrë në sallë pa komplikacione dhe pa temperaturë.
“Vdekja e të ndjerit na ndodhur në mes të operacionit si rrjedhojë e një hipertermie malinje. Fillimisht fëmija kaloi në vdekje klinike dhe nga aty ne e dërguam në reanimacion, por nuk u rikthye më në jetë. Theksoj se ekziston një medikament i cili mund ti shpëtonte jetën, por spitali nuk e disponon”, deklaroi Boçi, citon noa.al.
Lidhur me denoncimin e familjarëve të viktimës, mjeku sqaroi se ata ishin njohur me rrezikshmëritë e ndërhyrjes kirurgjikale dhe se kishin firmosur para se 11 vjeçari të hynte në sallë.
Ai kujton se janë kryer edhe 2 ndërhyrje të tjera të ngjashme dhe se kanë dalë me sukses.
Sa i përket shkaqeve që çuan në humbjen mjeku Boçi tregon se anestezia mund të ketë ndikuar, por nuk është shkaku kryesor, duke theksuar se ndikim vendimtar kanë pasur anomalitë e trashëguara te fëmija.
Sakaq Presidenti i Urdhrit të Mjekut Din Abazaj deklaron se mjekët kanë zbatuar rregullat dhe se nuk është faji i tyre për një aksident spitalor.
11 vjeçari Alimadhi gjeti vdekjen në duart e mjekëve, ndërsa operacioni është kryer nga mjekë të huaj dhe shqiptar tek i njohuri si “Spitali francez” në QSUT.
Mësohet se i ndjeri i ishte nënshtruar operacionit për rënie të qepallës e njohur në gjuhën mjekësore si “Ptosios palpebral”, por nuk ka mundur të gjejë shërim dhe madje as shpëtim.
a.y/noa.al
Lexoni edhe: Tiranë, fëmija 11 vjeç vdes në mes të operacionit në sy
Vdekja e 11 vjeçarit gjatë operacionit në sy, Tavo: Komplikacion i rrallë
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





