

Tiranë, 8 nëntor 2012, NOA- Sipas MeteoAlb, zhvillimi i një qendre me presion të lartë atmosferik mbi Pellgun e Mesdheut do të kushtëzojë mot të qëndrueshëm edhe në territorin shqiptar. Për rrjedhojë kthjellimet do të dominojnë në pjesën më të madhe të vendit me përjashtim të zonave malore veriore ku do të shfaqen herë pas here vranësira të lehta dhe kalimtare. Po ashtu edhe pasditja do të vijojë me kthjellime në zonat e ulëta dhe ato bregdetare ndërsa sërish në zonat malore përveç kthjellimeve do të ketë edhe vranësira të lehta.
Temperaturat e ajrit do të pësojnë një rritje të lehtë si në vlerat e mëngjesit dhe në ato të mesditës.
Era do të fryjë e lehtë në tokë dhe deri mesatare në det duke arritur shpejtësine 35 km/h nga drejtimi verior- veriperëndimor dhe për pasojë në det do të gjenerohet dallgëzim 2 ballë.
Europa
Europa Perëndimore dhe verilindore do të përfshihen nga vranësira të dendura dhe për pasojë, reshje shiu dhe dëbore do të bien në këto rajone të kontinentit. Kjo do të ndodhë si pasojë e prezencës së një sistemi frontal si edhe një qendre me presion të ulët atmosferik e vendosur në verilindje të kontinentit. Gjatë orëve të mesditës, një sistem vranësirash do të vendoset në brendësi të kontinentit duke bërë që shira me intensitet të ulët të ketë në Europën Qendrore dhe reshje të pakta dëbore në zonën e Apleve.
Europa Jugore, Juglindore si edhe rajoni i Mesdheut do të karakterizohen nga kthjellime dhe vranësira kalimtare, më të dukshme vranësirat do të jenë gjatë orëve të pasdites.
a.y/noa.al
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





