Transmetuar më 08-11-2012, 19:29

Bashkimi Evropian dhe Këshilli i Evropës theksojnë nevojën për rezultate konkrete në luftën kundër korrupsionit

Tiranë, 8 nëntor 2012, NOA.al/ Blerina Gjevori – Organizmat ndërkombëtare reagojnë për herë të parë pas heqjes së imunitetit për zyrtarët në Shqipëri, duke i kërkuar publikisht qeverisë dhe organeve të tjera shtetërore që të marrin rezultate të shpejta dhe konkrete nga ligji i shumëdiskutuar që u miratua para disa javësh.

Kërkesa u bë sot në konferencën e organizuar nga Bashkimi Evropian, Këshilli i Evropës dhe Qeveria Shqiptare, takim ku u analizua bashkëpunimi i tyre 3-vjeçar në luftën kundër korrupsionit në Shqipëri.

“Është përgjegjësia juaj për të dhënë rezultate mbi reformën e fundit të regjimit të imuniteteve. Është përgjegjësia juaj të zbatoni Planin e Veprimit të Anti-korrupsionit", tha Ambasadori i Bashkimit Evropian në Shqipëri, Ettore Sequi duke iu adresuar autoriteteve shqiptare.

Sequi nënvizoi nevojën për një historik të qëndrueshëm të hetimeve, ndjekjeve penale dhe dënimeve për korrupsion në të gjitha nivelet.

Ai theksoi se suksesi i asistencës sonë është në përputhje me vullnetin dhe vendosmërinë tuaj për të përfituar prej saj dhe shtoi: “Në të vërtetë, suksesi i PACA-s ka qenë në përputhje me vullnetin politik dhe vendosmërinë për t’i thënë "jo" korrupsionit”.

“Lufta kundër korrupsionit, – vijoi z.Sequi, – është një kërkesë e rëndësishme për statusin kandidat dhe për hapjen e negociatave për anëtarësim dhe lidhur me këtë.

Përveç reflektimit mbi bashkëpunimin e Qeverisë Shqiptare, Këshillit të Evropës dhe Bashkimit Evropian, konferenca inkurajoi vazhdimin dhe zbatimin e plotë të reformave të ndërmarra – si për shembull raportimin e bërë nga autoritetet mbi zbatimin e Planit të Veprimit të anti-korrupsionit si dhe ndjekjen penale të korrupsionit në të gjitha nivelet.

Kurse Zëvendës Sekretarja e Përgjithshëm e Këshillit të Evropës, znj. Gabriela Battaini-Dragoni ftoi autoritetet shqiptare të përdorin këtë moment për të vazhduar përpjekjet e tyre drejt parandalimit dhe frenimit të korrupsionit.

Gjithashtu ajo ftoi shoqërinë civile, OJQ-të, qytetarët shqiptarë të jenë të vëmendshëm, të reagojnë dhe të mos pranojnë praktikat korruptive. “Të gjithë ne duam të lëmë një botë më të mirë për fëmijët tanë dhe vendi juaj nuk bën përjashtim. Fëmijët e sotëm meritojnë të jetojnë nesër në një Shqipëri pa korrupsion”, – shtoi ajo.

Konferenca përkon me mbylljen e projektit 3-vjeçar kundër korrupsionit në Shqipëri (PACA), i financuar me 2 milionë Euro nga Bashkimi Evropian dhe 0.13 milion euro nga Këshilli i Evropës. Nëpërmjet PACA-s, Bashkimi Evropian dhe Këshilli i Evropës kanë sjellë me sukses ekspertizën dhe praktikat më të mira të Shteteve Anëtare të BE-së për parandalimin dhe luftën kundër korrupsionit nëpërmjet përmirësimit të politikave të planifikimit dhe ndërtimit, koordinimit, mekanizmave të monitorimit dhe raportimit.

Gjatë këtyre tre viteve të fundit, ekipi i PACA-s ka asistuar reformat e anti-korrupsionit në Shqipëri, dhe ka patur një ndikim të madh në luftën kundër korrupsionit – veçanërisht me ndryshimet e fundit kushtetuese për të reformuar sistemin e imuniteteve të zyrtarëve të nivelit të lartë. Ekipi i PACA-s ka përmirësuar Planin e Veprimit të Anti-korrupsionit dhe ka asistuar në harmonizimin e statistikave për hetimin, ndjekjen dhe dënimin e rasteve korruptive; ka përforcuar bashkëpunimin ndër-institucional; ka ndërtuar kapacitetet për të shmangur rreziqet e korrupsionit në procesin e hartimit të ligjit si dhe ka kryer vlerësim të rrezikshmërisë në sektorë kyçe siç janë shëndetësia, arsimi, pronat, ankesat ndaj gjyqtarëve etj. Puna e ekipit të PACA-s ka mbështetur plotësimin e kërkesave të caktuara në Opinionin e Komisionit Evropian lidhur me aplikimin e Shqipërisë për anëtarësim në Bashkimin Evropian.

Projekti PACA filloi në Shtator 2009. Është një projekt prej 40 muajsh i financuar kryesisht nga Bashkimi Evropian dhe i zbatuar nga Këshilli i Evropës. Gjatë 15 viteve të fundit, janë shpenzuar rreth 150 Milionë Euro nga taksapaguesit e BE-së për reformat mbi Drejtësinë në Shqipëri. b.gj/noa.al

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit