Transmetuar më 08-11-2012, 13:36

Durrës, 8 nëntor 2012,NOA – Kryeministri Sali Berisha deklaroi sot se mazhoranca ka arritur të zhvillojë vendin duke shtuar investimet në sektorë të ndryshëm. Gjatë deklaratës së bërë në ceremoninë e përfundimit të ujësjellësit në zonën e plazhit Shkozet-Plepa, paraditen e sotme në Durrës, Berisha u shpreh se Shqipëria po bëhet vend i zhvilluar.

“Ne, kudo që shkojmë, nuk ofrojmë fjalë boshe e slogane, por shkolla të reja, ujësjellës të rinj, kanalizime të reja, biznese të reja, ofrojmë tërheqje të bizneseve të huaja, ofrojmë hidrocentrale të reja të ndërtuara në të katër anët e vendit, zhvillim të qëndrueshëm të Shqipërisë, ofrojmë shumëfishim të turizmit. Këto do të jenë ofertat tona për katër vitet që vijnë, sepse këto janë edhe nevojat më të ngutshme, më të ndjeshme të qytetarëve shqiptarë”, tha Berisha.

Duke vlerësuar investimin e bërë në zonën e Shkozetit, Berisha shtoi se ky investim ka një vlerë prej 1 milion euro. Ai u shpreh se gjatë këtyre viteve, në furnizimin me ujë janë investuar mbi 500 milionë dollarë dhe rreth 97 për qind e qytetarëve furnizohen sot me ujë të rrjedhshëm.

“Kam kënaqësinë të informoj shqiptarët se janë 60 projekte të financuara për sistemet e kanalizimeve të vendit. 14 projekte të tjera janë në ndërtim e sipër për pastrimin e ujërave të zeza, në mënyrë që ujërat në liqene dhe detet tona, nga Velipoja në Ksamil të jenë ndër më të pastrit në Europë. Ne do të bëjmë gjithçka, në mënyrë që qytetarët shqiptarë të kenë furnizim me ujë të cilësisë më të lartë dhe që ujërat e tyre në dete e liqene të jenë ndër më të pastrit e kushtet më të mira”, tha Berisha.

a.k/noa.al

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit