

"Pika e dytë që do të doja të vija në dukje është, dhe do t’i kërkoja ndihmë miqve të mi gazetarë këtu – besoj se fjala e fitores e Presidentit dhe fjalimi i pranimit nga Guvernatori Romney do të pasqyrohen plotësisht si në televizion ashtu dhe në gazeta – ju lutem, lexoni këto fjalime nga fillimi në fund. Ju lutem, kthejuni gazetave të javës së kaluar dhe lexoni fjalën e Sekretares së Shtetit Hillary Clinton dhe nga fillimi në fund dhe do të habiteni se sa të ngjashme janë të treja këto fjalime"…
Nga Aleksandër Arvizu
Mirëmëngjes. Sinqerisht, ju falënderojmë nga zemra që keni ardhur këtu të mbështesni Shtetet e Bashkuara. Jam jashtëzakonisht mirënjohës ndaj secilit prej jush për mbështetjen jo vetëm në këtë moment, por gjatë gjithë vitit. Dua të falënderoj stafin tim në Ambasadë, stafin e Hotel Rogner, sponsorët që mundësuan këtë, si dhe Dhomën Amerikane të Tregëtisë, të cilët në fakt e nisën këtë festë mbrëmjen e kaluar. Dua të vë në dukje dy pika për atë që pashë, mesazhet që unë mora dhe që do të doja t’i theksoja për ju. I pari është: shihni sa njerez kanë votuar, më tepër se 106 milionë. Votat e fundit mbeten ende për t’u numëruar, por 98% e votave janë numëruar dhe u deshën vetëm 5 ose 6 orë për ta bërë këtë. Nuk u desh një javë apo 10 ditë. U deshën vetëm 5- 6 orë. 106 milionë vota. Kjo është e rëndësishme. Qartazi, ne kemi disa avantazhe teknologjike, por gjëja e rëndësishme është që të ecet me shpejtësi dhe me efikasitet. Nëse nuk e bëni këtë, atëherë krijoni shkak për mosbesim nga njerëzit të cilëve ju u shërbeni. Pika e dytë që do të doja të vija në dukje është, dhe do t’i kërkoja ndihmë miqve të mi gazetarë këtu – besoj se fjala e fitores e Presidentit dhe fjalimi i pranimit nga Guvernatori Romney do të pasqyrohen plotësisht si në televizion ashtu dhe në gazeta – ju lutem, lexoni këto fjalime nga fillimi në fund. Ju lutem, kthejuni gazetave të javës së kaluar dhe lexoni fjalën e Sekretares së Shtetit Hillary Clinton dhe nga fillimi në fund dhe do të habiteni se sa të ngjashme janë të treja këto fjalime. Një nga këto nga një njeri i cili u rizgjodh President i Shteteve të Bashkuara. Tjetri nga dikush që e humbi garën për President të Shteteve të Bashkuara. I treti është nga Sekretarja e Shtetit gjatë vizitës së saj në Tiranë, Shqipëri. Por, ka një fill të përbashkët, një temë të përbashkët, dhe kjo është që zgjedhjet janë thelbi i një demokracie dhe luftohet ashpër dhe luftohet për të fituar. Dhe ndonjëherë nuk është fare e këndshme, por, kur ka marrë fund ka marrë fund.
Rezultati tashmë dihet, por, mendoni këtë: mbi 56 milionë amerikanë nuk votuan për Barack Obama. Ata menduan se dikush tjetër mund të ishte një president më i mirë. Por, siç vetë Presidenti Obama tha, dhe si Guvernatori Romney e tha në mënyrë kaq të hijshme, Presidenti Obama nuk është vetëm Presidenti i 58 milion njerëzve që votuan për të; ai është Presidenti i të gjithë vendit, i të gjithëve. Dhe çdo amerikan këmbëngul që Presidenti Obama të bëjë një punë të mirë, të qeverisë në mënyrë të drejtë, të qeverisë në mënyrë efikase dhe ky është detyrimi i tij. Ai është Presidenti i Shteteve të Bashkuara; është detyrimi i tij ndaj qytetarëve të Shteteve të Bashkuara. Kjo është diçka që çdo amerikan e kupton dhe që çdo amerikan pret. Duke filluar nga sot, Presidenti Obama është Presidenti i të gjithë atyre shteteve në ngjyrë të kuqe, bashkë me shtetet në blu. Dhe pika e fundit, që përfshihet në të gjitha fjalimet që unë sapo përmenda, është se puna e vështirë e qeverisjes nuk mund të kryhet vetëm. Nuk mund të kryhet nga një kandidat; nuk mund të bëhet nga njëra palë. Duhet të jetë një përpjekje e përbashkët. Siç e tha dhe Sekretarja Clinton, ajo dhe Presidenti Obama kanë mundur të punojnë kaq mirë bashkë sepse ata të dy e duan vendin e tyre. Dhe ajo e vuri në dukje se si të gjithë e shohin se sa duan shqiptarët vendin e tyre. Presidenti e tha më mirë nga të gjithë: politika është emocionuese, zgjedhjet ishin emocionuese, por kjo ka përfunduar. Zgjedhjet kanë përfunduar dhe tani duhet të fillojë qeverisja. Qeverisja jo vetëm duhet të jetë e suksesshme dhe të dyja palët të punojnë bashkë, por, gjëja më e rëndësishme është që njerëzit të marrin pjesë duke i kërkuar llogari të gjitha palëve. Faleminderit që u bashkuat me ne këtu për të festuar demokracinë, demokracinë amerikane.
Fjala e ambasadorit amerikan gjatë “Mëngjesit të zgjedhjeve” në Tiranë.
noa.al
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





