
Arkivat audiovizuale shqiptare fatmirësisht janë ruajtur relativisht mirë, por tashmë ka ardhur koha që të tejkalohet ky aspekt. Në radhë të parë, restaurimi i pjesëve filmike, por edhe dixhitalizimi i fondeve që ruhen në Arkivin Qendror Shtetëror të Filmit kërkon një investim më të madh.
Dje, pjesëtarët e konferencës ndërballkanike “Memorja e Ballkanit” ndodheshin në AQSHF për një vizitë njohëse, pikërisht me këtë qëllim. Stafi i AQSHF i shoqëroi ata për t’i njohur me Arkivin, historikun dhe mënyrën e funksionimit.
Regina Longo bëri një paraqitje të projektit të Kinemasë Shqiptare, një projekt konkret dhe aktual mbi ruajtjen dhe restaurimin e fondit filmik që shkon në të njëjtën linjë me qëllimet e projektit “Memorja e Ballkanit”.
Drejtorja e Arkivit të Filmit, Elvira Diamanti vërejti se pas restaurimit të filmit “Nëntori i dytë” është emergjent restaurimi i filmave përfaqësues të kinemasë shqiptare duke nisur me filmin e parë shqiptar “Tana”, për të vijuar me filma si: “Fortuna”, “Ngadhnjimi mbi vdekjen”, por prioritet kryesor janë edhe kronikat dhe xhirimet e një shekulli më parë. Në fondin e AQSHF-së ruhen rreth 6420 tituj filma shqiptarë dhe të huaj.
Një fond i pasur arkival është edhe ai Institutit të Folklorit. Tashmë pas dixhitalizimit muzikor në këtë arkiv, u bë e mundur të ndërhyhet edhe në pjesën e arkivit vizual. Sipas përgjegjësit të Arkivit të Institutit të Kulturës Popullore, Robert Çollaku, i cili prej 40 vitesh është kujdesur për ruajtjen e bobinave, fatmirësisht pas përfundimit te këtij projekti kërkohet informatizohen edhe skedat e prozës dhe poezisë, por e rëndësishme është ruajtja e kopjeve origjinale me parametrat bashkëkohorë.
Regjistrimet në shirita 16mm i valleve dhe folklorit shqiptar të mbledhur për 50 vite nga studiuesit në terren, tashmë mund të deshifrohen dhe të shpëtojnë nga dekompozimi i shiritave. Por, domosdoshmëri është edhe ruajtja e shiritave origjinalë, pasi koha evoluuan dhe restaurimi i shiritave është forma më e mirë e njohur deri më sot.
Ndërkohë dje në mbrëmje, në kuadrin e “Balkans Memory”, seminari i parë në Tiranë për ruajtjen dhe restaurimin e arkivave audiovizuale dhe kinematografike të Ballkanit, në kinemanë e “Marubit” është shfaqur dokumentari “Albanie 1912…” i regjizorit Eol Çashku, i prodhuar me rastin e 100 Vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë, si një iniciativë e Ambasadës së Francës në Shqipëri dhe Qendrës së Studimeve Albanologjike.
SHIKONI FILMIN "TANA" (Suportohet nga IE, Mozilla Fireox, Safari etj. Nuk suportohet nga Chrome)
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





