



Terni, 7 nëntor 2012, NOA/Arjola Ymeraj- Një hetim i policisë italiane i nisur në 6 maj të vitit 2011 ka vënë në pranga 33 shqiptarë të akuzuar për trafik droge, ndërsa ka sekuestruar 500 kilogramë drogë.
Në kuadër të këtyre hetimeve janë vënë në pranga 33 persona, 19 prej të cilëve vetëm gjatë të martës dhe të mërkurës në Terni, Leçe dhe Siena.
Është ky bilanci i trafikantëve shqiptarë të drogës të arrestuar në kuadër të operacionit “Daku” i nisur nga policia e Ternit dhe shërbimet e antidrogës dhe i publikuar ditën e sotme.
Të ndaluarit siç raporton noa.al merreshim me trafikimin e drogës nga Shqipëria në Itali, ndërsa grupe brenda tyre e shpërndanin, duke arritur në fitime mbi 40 mijë euro në ditë.
Zyrtari i policisë italiane deklaroi se, “Droga vinte nga Shqipëria dhe më saktësisht nga një fshat i quajtur Lazarat në rrethin e Gjirokastrës. Pasi merrej në këtë zonë ajo transportohej përmes trageteve në Bari, brenda gomave të kamionëve, apo gomoneve të mëdha. Pasi mbërrinte në Bari lënda narkotike ndahej në tregun e zonës si Narni, Roma, Firenze, Pesaro por edhe në vende të ndryshme të Europës si Anglia dhe Hollanda”.
Falë informacioneve të dhëna nga policia shqiptare në korrik të këtij viti, ku policia sekuestroi 2 mijë bimë marijuanë në Lazarat dhe arrestoi disa kultivues të tyre, grupi kriminal u zhvendos në veri të Italisë. Agjentët italianë sqarojnë se çdo transport i trafikantëve varionte në çdo rrugë nga 150 në 350 kilogramë drogë.
a.y/noa.al
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





