Transmetuar më 06-11-2012, 17:30

Zagreb, 6 nëntor 2012, NOA- Kroacia do të përkrahë Kosovën në procesin e integrimeve evropiane.

Ky ka qenë premtimi që kryeministri i Kroacisë, Zoran Milanoviç i ka dhënë kryeministrit të Kosovës, Hashim Thaçit gjatë një takimi të zhvilluar sot, raporton noa.al.

Në ditën e parë të vizitës zyrtare në Kroaci, kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi është takuar me homologun e tij Zoran Milanoviç, ku kanë biseduar për situatën në rajon, për politikën, për marrëdhëniet dhe stabilitetin në rajon, për bashkëpunimin ekonomik, shkëmbimin tregtar dhe investimet.

Në konferencën e përbashkët për media, Thaçi theksoi se e ka njoftuar kryeministrin Milanoviç për procesin e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë, të udhëhequr nga Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

“Për institucionet e Republikës së Kosovës është i domosdoshëm largimi i strukturave paralele nga veriu i vendit, të cilat janë mbetje të Millosheviçit, për të cilat gjithë bota e di, se financohen e kontrollohen nga Serbia”, është shprehur Thaçi, duke shtuar se një çështje tjetër që në mënyrë urgjente duhet të zgjidhet është fati i më shumë se 1800 të pagjeturve në Kosovë.

I pyetur për takimin e nesërm me kryeministrin serb, Ivica Daçiç në Bruksel, kryeministri Thaçi tha do të bisedohet për zbatimin e marrëveshjeve të arritura deri tani mes Kosovës dhe Serbisë, por nuk do të bisedohet për statusin e Kosovës.

“Statusi i Kosovës është zgjidhur përgjithmonë me shpalljen e pavarësisë së saj”, është shprehur Thaçi.

Ai gjithashtu ka shprehur optimizëm se ky proces do të përfundojë me njohjen reciproke mes dy shteteve.

Gjatë qëndrimit të tij në Kroaci, Thaçi është takuar edhe me Kryetarin e Parlamentit të Kroacisë, Josip Leko, ku ka diskutuar për bashkëpunimin ndërshtetëror mes Kosovës dhe Kroacisë dhe për perspektivën evropiane të Kosovës.

Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi ditën e mërkurë do të zhvillojë një takim në Zagreb me presidentin e Kroacisë, Ivo Josipoviç.

noa.al

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit