Transmetuar më 05-11-2012, 11:56

Tiranë, 5 nëntor 2012, NOA.al/Ariola Ymeraj- Kreu i grupit kuvendor socialist Gramoz Ruçi gjatë takimit të zhvilluar me Presidentin Bujar Nishani ka kërkuar që të dekretohet sa më parë data e zgjedhjeve por nuk ka bërë një propozim konkret.

Siç raporton noa.al Ruçi ka kërkuar nga Kreu i Shtetit që të dekretojë zgjedhjet sa më parë në mënyrë që edhe Komisioni Qendror i Zgjedhjeve të nisë punën për organizimin dhe mbarëvajtjen e tyre.

Më herët Presidenti Nishani pati një takim me kreun e grupit parlamentar demokrat Astrit Patozi, në kuadër të konsultimeve për datën e zgjedhjeve.

Patozi nuk ka propozuar asnjë datë për zgjedhjet, duke u shprehur i hapur për çdo datë që do vendoset.

Në mesditë Nishani do të takojë kryetarin e grupit të LSI-së, Lefter Koka, më pas me  kryetarin e Partisë Republikane, Fatmir Mediu, në orën 13:00.

Takimet do të vijojnë me kryetarin e Partisë Bashkimi për të Drejtat e Njeriut, Vangjel Dule në orën 14:00 dhe do të mbyllen me kryetarin e Partisë për Drejtësi, Integrim dhe Unitet, Shpëtim Idrizi në orën 15:00.

Brenda hapësirës së Kodit Zgjedhor, zgjedhjet e përgjithshme për Kuvendin në të gjithë territorin e vendit duhet të mbahen brenda periudhës që shtrihet nga 15 marsi deri më 30 qershor ose nga 15 shtatori deri më 30 nëntor.

Nga të dhënat paraprake që dalin nga Presidenca thuhet se data më e mundshme pritet të jetë e diela e 23 qershorit.

a.y/noa.al

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit