Transmetuar më 05-11-2012, 10:53

Tiranë, 5 nëntor 2012, NOA/ A.Ymeraj – Ka zgjatur vetëm 30 minuta takimi i Kreut të Shtetit Bujar Nishani me kreun e grupit parlamentar demokrat Astrit Patozi, në kuadër të konsultimeve për datën e zgjedhjeve.

Burime zyrtare nga Presidenca i thanë noa.al se gjatë takimit Patozi nuk ka propozuar asnjë datë për mbajtjen e zgjedhjeve, duke u shprehur i hapur për çdo datë që do të vendoset.

Në vijim ai ka shtuar se suksesi i zgjedhjeve nuk varet nga data dhe se nga ana e Partisë Demokratike nuk do ketë pengesa për të.

Në minutat në vijim pritet takimi me kryetarin e grupit të Partisë Socialiste, Gramoz Ruçi, i parashikuar në orën 11:00.

Në mesditë Presidenti Bujar Nishani do të takojë kryetarin e grupit të LSI-së, Lefter Koka, më pas me  kryetarin e Partisë Republikane, Fatmir Mediu në orën 13:00.

Takimet do të vijojnë me kryetarin e Partisë Bashkimi për të Drejtat e Njeriut, Vangjel Dule në orën 14:00 dhe do të mbyllen me kryetarin e Partisë për Drejtësi, Integrim dhe Unitet, Shpëtim Idrizi në orën 15:00.

Sipas Kodit Zgjedhor, zgjedhjet e përgjithshme për Kuvendin apo për njësitë e qeverisjes vendore zhvillohen njëherësh në të gjithë territorin e vendit brenda periudhës që shtrihet nga 15 marsi deri më 30 qershor ose nga 15 shtatori deri më 30 nëntor.

a.y/noa.al

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit