

Tiranë, 4 Nëntor 2012 NOA.al/Ariola Ymeraj – Kryetari socialist Edi Rama, në turin e takimeve me biznesin që po kryen këtë fundjavë në Tiranë, ka deklaruar se nga biznesi i vogël qeveria vjel vetëm 0.5 për qind e të gjithë të ardhurave. Nisur nga ky fakt sipas tij, do të hiqet taksa për bizneset e vogla nëse PS vjen në pushtet.
“Ne do ta heqim taksën e biznesit të vogël sepse në total për shtetin në arkë është 30 milionë dollarë, 0.5 për qind e të gjithë të ardhurave por të mos harrojmë që janë praktikisht dhjetëra mijëra familje që jetojnë me biznes të vogël”, – deklaroi z.Rama, gjatë takimeve me tregtarët e vegjël në Njësinë 5 në kryeqytet.
Nga ana e tyre tregtarët e vegjël u shprehën të dëshpëruar sa i përket rritjes drastike të çmimeve, rritjes se taksave dhe rënies së fuqisë blerëse.
Për Partinë Socialiste taksa e biznesit të vogël duhet hequr menjëherë pasi në kushtet e një krize ekonomike dhe me rënien e fuqisë blerëse kjo taksë po asfikson këtë biznes.
Sipas PS, momenti kritik që po kalon vendi dhe ekonomia shqiptare kërkon politika të reja dhe të qarta duke filluar me një politikë tërësisht të re për taksat.
“Zerimi i taksës së biznesit të vogël është një emergjencë ekonomike pasi Rilindja Shqiptare kalon përmes rimëkëmbjes së ekonomisë”, – vlerëson kreu socialist, Edi Rama. a.y/noa.al
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





