Transmetuar më 03-11-2012, 17:04

Terni, 3 nëntor 2012, NOA- Kishte organizuar çdo gjë në mënyrë perfekte për t’i shpëtuar kontrolleve të policisë dhe të çonte në destinacionin e duhur sasinë e drogës që mbante në çantë, por plani i tij nuk funksionoi.

I veshur enkas me kostum serioz që të mos dyshohej nga policia, një 48-vjeçar shqiptar nuk ka arritur t’i shpëtojë kontrollit të agjentëve të anti-drogës, në stacionin e trenit në Terni në Itali, ku i është gjetur dhe sekuestruar një kilogramë kokainë, në çantën që mbante në dorë, raporton noa.al.

Sapo zbriti nga treni, shqiptari fillimisht nuk është vënë re nga uniformat blu, por ecja e tij me shpejtësi dhe kokën ulur, është bërë objekt dyshimi për karabinierët, të cilët e ndoqën derisa 48-vjeçari ndaloi për të kryer një telefonatë nga celulari i tij.

Në këtë moment, agjentët e anti-drogës i afrohen dhe i kërkojnë dokumentet, por shqiptari shfaqej tepër i nervozuar përpara uniformave blu, ndaj dhe kjo gjë ka bërë që agjentët të vijojnë më tej kontrollin në kuesturë, ku i është kërkuar hapja e çantës që mbante në dorë.

Shqiptari vendosi në tavolinë dy pako me lëndë narkotike të llojit kokainë, (në total 1 kilogramë), me vlerën e 80.000 eurove.

Policia italiane arrestoi 48-vjeçarin, i cili akuzohet për trafikim të lëndëve narkotike.

Përveç drogës, shqiptari kishte me vete edhe biletën e trenit me të cilën do të kthehej sërish në Milano, pasi të dorëzonte lëndën narkotike.

b.gj/noa.al

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit