Transmetuar më 03-11-2012, 13:21

Tiranë, 3 nëntor 2012, NOA – Partia Demokratike ka reaguar sot për vdekjen e ish të burgosurit politik Lirak Bejko. Në një deklaratë për mediat PD i shpreh ngushëllimet familjes së të ndjerit. Po ashtu, PD në të ditur se Kryeministri Sali Berisha ka porositur të merren masa për të ndihmuar kthimin e trupit në shtëpi.

Nga ana tjetër, PD akuzon kreun e PS-së, Edi Rama për përdorimin politik që i bëri grevës së urisë dhe humbjen e jetës së Bejkos.

“Kjo dramë u finalizua sërish nga Z.Rama dhe kupola e PS me organizimin kundrejt pagesës për qëllime politike të grevës, vendosjes në krye të saj të kriminelëve dhe terroristëve si Tufa dhe Shqevi, djegies për së gjalli për qëllime politike nga Perikli Shqevi të Gjergj Ndrecës, selektimit mbi bazën e kartelës shëndetësore të të ndjerit Lirak Bejko dhe dërgimit direkt te ai me shishet e ujit të shishes së benzinës, duke besuar se flakët që do digjnin trupin e tij do shëndrroheshin në vota për karrigen e Ramës”, tha sot në një deklaratë zëdhënësja e PD, Silvi Bardhi.

Më poshtë deklarata e plotë e Partisë Demokratike.

“Dje në Bari, ndërroi jetë grevisti Lirak Bejko, që pasi u lye me benzinë i vuri flakën vetes para kamerave. Partia Demokratike shpreh ngushëllimet e sinqerta familjes dhe ndan dhimbjen me ta. Kryeministri i vendit ka porositur të merren masa për të ndihmuar kthimin e trupit në shtëpi.

Partia Demokratike dënon organizimin dhe përdorimin politik të këtij akti dhe i thotë zotit Rama se vërtetë jeta e Lirak Bejkos ishte një dramë me disa akte, që filloi me burgosjen e tij nga ata që firmosnin burgosjet, varjet, ekzekutimet për fjalën ndryshe e mendimin ndryshe, vazhdoi me socialistët e Z.Rama që në një akt klasor armiqësor ndërprenë në 8 vitet e pushtetit të tyre dëmshpërblimin e të përndjekurve politikë. Kjo dramë u finalizua sërish nga Z.Rama dhe kupola e PS me organizimin kundrejt pagesës për qëllime politike të grevës, vendosjes në krye të saj të kriminelëve dhe terroristëve si Tufa dhe Shqevi, djegies për së gjalli për qëllime politike nga Perikli Shqevi të Gjergj Ndrecës, selektimit mbi bazën e kartelës shëndetësore të të ndjerit Lirak Bejko dhe dërgimit direkt te ai me shishet e ujit të shishes së benzinës, duke besuar se flakët që do digjnin trupin e tij do shëndrroheshin në vota për karrigen e Ramës.

Duke shprehur dhe njëherë ngushëllimet Partia Demokratike kërkon nga organet e drejtësisë të hetojë të gjithë organizatorët dhe përgjegjësit e akteve të cilat kishin për qëllim shndërrimin e kufomave në vota”.

a.k/noa.al

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit