Transmetuar më 03-11-2012, 11:31

Kryeministri Berisha gjatë fjalës së tij përshëndetëse në ceremoninë e anëtarësimit të 430 të rinjve nga bashkia e Sukthit në Partinë Demokratike

Durrës, 3 nëntor 2012, NOA.al – Kryeministri Sali Berisha, njëherësh dhe kryetar i Partisë Demokratike, ka marrë pjesë në ceremoninë e anëtarësimit të rreth 400 të rinjve në Partisë Demokratike në Sukth të Durrësit.

Berisha ka vlerësuar rëndësinë që ka rinia për PD-në, si dhe është ndalur në modelin politik që ka sjellë mazhoranca gjatë qeverisjes. Kryeministri u shpreh se gjatë mandatit tjetër Partia Demokratike do të bëjë shumë më tepër.

“Në katër vitet e tjera është detyra jonë të bëjmë 4 herë më shumë. Ne nuk kërkojmë votat për ato që kemi bërë, por për ato që do të bëjmë në 4 vitet që vijnë”,  u shpreh Kryeministri.

Njekohesisht kreu i PD-së, z.Berisha ka shpërndarë dhe teserat e partisë për 430 të rinjtë që ju bashkuan kësaj force politike. “Ju po bashkoheni e forcën politike, promotor i lirive dhe dinjiteti njerëzor. Ju po bëheni pjesë e një force që ja ka dalë të ndërtojë në Shqipëri ekonominë e tregut”, tha Berisha.

Ndërkohë, kryeministri Berisha u ndal tek vëmendja që qeveria i ka kushtuar këto vite rinisë dhe veçanërisht shkollimit të tyre. “Në vitin 2005 ëndrra universitare, ëndrra intelektuale e shumicës dërrmuese të gjimnazistëve shqiptarë rrënohej, sepse ata nuk mund të ndiqnin studimet. Ne premtuam se kësaj do t’i japim fund, se do të bëjmë gjithçka që çdo gjimnazist dhe gjimnaziste e këtij vendi të mund të bëjë të vërtetë ëndrrën e bukur universitare, ëndrrën e diplomës, ëndrrën e tij intelektuale. Nga 12 studentë për 1 mijë banorë që kishim, ne sot kemi 51 studentë për 1 mijë banorë dhe qëndrojmë mbi mesataren Evropiane. Për ne shkollimi i të rinjve, i fëmijëve tanë, është  përparësia e të gjitha përparësive. Po kështu, në rast se në vitin 2005 rreth 63 për qind e fëmijëve që mbaroni arsimin e detyruar regjistroheshin në gjimnaze, sot 92 për qind  e të gjithë atyre që mbarojnë arsimin 9-vjeçar regjistrohen në gjimnaz”, u shpreh Kryeministri, duke nënvizuar se gjatë qeverisjes nga Partia Demokratike u bë realitet edhe shtrirja e internetit në çdo shkollë.

Më tej, z.Berisha ftoi që edhe të rinjtë nga qytete të tjera të vendit t’i bashkohen Partisë Demokratike, të bashkohen në projektin e madh Shqipëria vend i zhvilluar. “Ftoj të rinjtë shqiptarë të bashkohen në projektin tonë të madh, projektin e Shqipërisë vend i zhvilluar, projekti i ëndrrës tuaj më të bukur, projekti i Shqipërisë Evropiane”, tha Kryeministri.

Kryeministri u ndal në afrimin e zgjedhjeve të vitit 2013 dhe ecjen drejt një mandati të tretë qeverisës, duke u shprehur se “në katër vitet e tjera është në detyrën tonë të bëjmë katër herë më shumë. Katër vitet që vijnë Shqipërinë ta shndërrojmë tërësisht. Ky është projekti juaj dhe i mbarë shqiptarëve”.

Shtimi i radhëve të  PD dhe FRPD është pjesë e një fushate të nisur prej disa muajsh nga Partia Demokratike dhe drejtuesit e saj. Një ditë më parë, në rrethin e Hasit u anëtarësuan 379 të rinj në Forumin Rinor të Partisë Demokratike. Ndërsa një javë më parë në forumin e Korçës u anëtarësuan 346 të rinj. a.k/noa.al

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit