

"Dhe u ngrit një mëngjes Sami Frashëri i Madh dhe tek lexonte në histori dhe ndër shpirtra të munduar të shqiptarëve t’sojit vet, qëllimin se Pse, Shqiptari, vëllai i vet, kjo kafshë e pamposhtur, duhet të jetonte edhe më tej ndër vite dhe s’kish pra, mbijetuar më kot deri më sot, u çua pra, Frashëri at mëngjes dhe shkroi : ‘Shqipëria ç’ka qenë, ç’është dhe ç’do të bëhet.’"…
Nga Artur Zheji
Shqiptari, kjo gjindje ballkanike e qasur këndej pari mijëra e mijëra vite më parë, është, tejet çdo dyshimi, legjendar për mbijetueshmërinë e vet.
Ai i mbijeton, s’dihet se si, skamjes, padijes, gënjeshtrës, pushtimit, mashtrimit, dhunës, përdhunës dhe përdhunimit, paqes dhe dehjes që sjell ajo, robërisë dhe mjerimit të paskaj që robëria prodhon, lirisë së përkohshme dhe iluzioneve që ajo, e përkohshmja dhe tinzarja liri, mbart me vete.
Dhe mbin aty ku e shkulin. Shqiptari.
Dhe përsëri mbin, kur përsëri e shkulin. Ay. Shqiptari.
Dhe përsëri çel gonxhe mbasi e shkelin.
Dhe pa kuptuar dot askush Përse, përsëri, rrënjëthellë, ndonëse më së shumti rrënjëdalë, zgjatet e zgjatet nën tokë, nën gur, nën ujë, nën zift, nën gropa, nën humnera, nën varre dhe ngre krye diku tjetër, sikur asgjë të mos kish ndodhur. Përsëri. Ay. Shqiptari.
I paqmë, i rruar dhe i krruar dhe i thotë vetes dhe Dynjasë: Ja ku jam! Sërish! Aty ku isha. Këtu ku isha. Ay. Shqiptari.
Në mijëra vite pra, në qindra mijëra ditë e net, me diell dhe pa diell, me hënë ose pa hënë, Shqiptari, një bisk këtu, një bisk andej, një shqopë më tej apo një lis më tutje, iadelgjithmonë të kthehet mbrapsht nga buza e greminës.
Pa rënë në greminë. Ose, edhe greminë gremisur qoftë, ay, duke u kacavjerrë, ay Shqiptari e di se si, rrëpirave të saj, nga fundi i honit, përsëri në krye të buzë-greminës. Afër buzës, por jo brenda.
Një besim i thellë pra, të vetëdijshme apo të vetëdijshme, për një apo 1000 arsyet të ekzistencës së vet. Së atij. Shqiptarit.
Një arsye e vërtetë apo e trilluar. Një arsye që ay, e di apo vetëm e ndjen.
Një Arsye, për të cilën ay, Shqiptari, duhet të mbijetojë.
Dhe u ngrit një mëngjes Sami Frashëri i Madh dhe tek lexonte në histori dhe ndër shpirtra të munduar të shqiptarëve t’sojit vet, qëllimin se Pse, Shqiptari, vëllai i vet, kjo kafshë e pamposhtur, duhet të jetonte edhe më tej ndër vite dhe s’kish pra, mbijetuar më kot deri më sot, u çua pra, Frashëri at mëngjes dhe shkroi :
‘Shqipëria ç’ka qenë, ç’është dhe ç’do të bëhet.’
Një traktat i madh dhe i thellë sa më s’ka. Një dashuri nga ato të rrallat për një Vend, ku princat e dikurshëm ishin shndërruar në barinj dhe ku astrologët e lashtë ishin shndërruar në lopçarë dhe hyzmetqarë.
Një Doktrinë, një Carta Magna, një Shkollë, një Platformë e mirëfilltë për një Rilindje të Mirëfilltë.
E sëbashku me të, pak përpara apo pak më pas, u derdhën të tjerë, shumë të tjerë, të entuziazmuar nga rizgjimi i geneve, që ngrinin krye përtej rehatisë dhe përditshmërisë mikroborgjeze, për një Atdhe dhe për një Shqipëri që nuk e kishin njohur kurrë.
Për një Arsye madhore pra, se Përse ne duhet të vazhdonim e të ishim në jetë të jetëve shqiptarë, dhe jo grekë, latinë apo sllavë.
Dhe iu ngritën monumente diturie dhe rrëfenjash të lashta këtyre ‘Përseve’ dhe ‘Sepseve’, të arsyes apo arsyeve, që Ne dhe genet tona, duhet të kishin, dhe kishin përse të kishin, Identitetin Shqiptar.
Dhe i kushtuan jetë, nerva, iluzione apo zhgënjime. Para, divorce, gulçime, shkallmime dhe shkallime, vrasje apo helmime. Fundosje në puset e thella të harresës, rizgjime të trallisura, trishtime vdekjeprurëse.
Dhe asokohe kjo Doktrinë, e asaj që Ishim, që Jemi dhe që duhet të Jemi, ishte një qiri që ndriçonte guvat dhe na vadiste rrënjët në shkretëtirë.
Dhe jemi të pamvarur pra sot.
Të pamvarur, por të rrezikuar më shumë se asnjëherë që të humbim ngjyrën, aromën, thelbin dhe lëkurën.
Shumica prej nesh, nuk ka më sot, as kokëçarjen dhe as iluzionin se Pse jemi Shqiptarë apo pse jo, Diç tjetër.
Ndoshta kështu duhet të jetë. Ndoshta është mjeruese që është kështu.
Sepse kur nuk ishim, ata që sot jemi, një Shtet me një stemë dhe me një flamur të njohur botërisht, pavarësisht të njohur për çfarë sot dhe për ç’bëma dje, donim me çdo kusht të ishim mëvetësisht shqiptarë.
Me qeleshe prehistorike, fustanella pellazge, këngë të hershme nga fillimet e qytetërimeve mbi tokë.
Sot në këtë panair të tejskajshëm imitimesh, në këtë majmunllëk të hatashëm që ndeshemi në çdo pore të kësaj pothuaj shoqërie, në këtë mjerim mosorigjinaliteti dhe mbizotërim injorance, pavarësisht anglishtfoljes masive, ngelesh i çmeritur dhe të duket vetja i paditur.
Pushteti dhe Paraja dhe Përfitimi i shpejtë e marramendës i ca të paktëve, ka damllakosur dhe helmuar ‘elitën e Re’, në çdo qelizë të ekzistencës së vet.
Po bëhemi një Komb plagjiat dhe plagjiatorësh të talentuar. Kopjaxhinj profesionistë të kryeveprave apo veprave të të tjerëve dhe vetëm kaq.
Kopertinat vidhen, ide nuk ka, formatet tv janë më së shumti imitime formale, formatet njerëzore nuk gjinden dhe në tregun e ideve dhe të mendjes, ka vetëm lëvozhga dhe ca pak thelpinj të hedhur nga rasti apo kokëfortësia aty-këtu.
Personalitetet njerëzore dhe talentet natyrale që nuk mungojnë, janë ndrydhur dhe palosur si kartëmonedha ndër ca portofole. Të cilat portofole, po fole, me zë dhe ton tëndin, të së vërtetës që ti mendon se di dhe se shpreh, mbyllen.
Mbyllen portofolet, si ca burgje të reja prej meshini dhe lëkure dhe kyçet bashkë me to edhe fjala, edhe personaliteti, edhe liria, edhe dinjiteti, edhe kokëkrisja e famshme shqiptare.
Në këtë garë qytetërimesh, pavarësisht Pavarësisë së sotme kaq modeste, mbetemi të parët nga fundi. Ndërkohë që Rilindasit tanë apo im Atë, pandehnin se thoshin të vërtetën kur na rrëfenin që kemi qenë dikur, nga ajo lloj race barkshqyer, e nga i cili ‘bark i shqyer’ u pollën mrekullisht qytetërime të tëra antike.
Por si ta besojmë këtë, kur Shqiptarët, ne shqiptarët, kemi sot një Fe të Re?
Një, apo shumë përzierje jo erëkëndshme, të një gjëje, që Gjë nuk është?
Të një kamaleonizmi dhe të një përthyerjeje kërbishtore, që na afron më shumë me zvarranikët sesa me Shqipet.
Harruaç!
Me shqipet, me ato shqipet e bekuara pra! Që për qejf të madh e kemi, ta mbiquajmë dhe vetëquajmë veten bij të tyre.
Mbas dy gotash pijeje të pazier mirë dhe dy telash muzikë me akorde orientale të huazuara nuk dihet pse, vetëquhemi fluturonjës si shqipet, paçka se rrethohemi nga një qytetërim me prirje zvarritëse.
Mendoj se ka ardhur koha në këto 100 vite refleksione dhe iluzione, mbi Pavarësinë e ashtuquajtur, që të rizbulojmë tezën e pavdekshme që thotë se Shqiptaria duhet të jetë Feja e shqiptarëve.
Vetvetja pra, sa më shumë vetvetja. Sëpaku edhe për 100 vite të tjera.
"Mapo"
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





