

Prishtinë, 2 nëntor 2012, NOA- Në prag të takimit të dytë ndërmjet kryeministrit Hashim Thaçi dhe Ivica Daçiç, qeveria e Kosovës shprehet e gatshme të hapë zyrën e saj ndërlidhëse në Beograd, si dhe t’i mundësojë Serbisë që edhe ajo të hapë zyrën e saj në Prishtinë.
Ky zotim i Qeverisë së Kosovës, është shprehur të premten publikisht nga zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi.
Ndonëse jo në nivel të ambasadave dhe pa simbole shtetërore, këto zyra shihen si hapi i parë drejt një procesi të gjatë të relaksimit të raporteve ndërmjet dy vendeve.
“Qeveria e Kosovës është e gatshme t’i kryej obligimet për hapjen e zyrës në Beograd. E dini që në Kosovë ka ambasada dhe zyre ndërlidhëse, besoj se e njëjta do të ndodhë edhe në raportin Kosovë-Serbi. Me siguri se është një hap drejt normalizimit të marrëdhënieve mes dy vendeve, por njohja do të jetë me një akt formal në mes dy qeverive dhe kjo duhet të ndodh që të arrihet traktati i paqes”, ka thënë Kuçi.
Në kuadër të disa temave që Përfaqësuesja e Lartë e Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme, Catherinë Ashton, i ka paraparë për agjendën e takimeve ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit, hapja e zyrave ndërlidhëse mendohet të jetë një nga hapat e parë.
Dialogu Prishtinë-Beograd, sipas agjendës së prezantuar nga Qeveria e Kosovës, mes të tjerash kërkon zbatimin në e të gjitha marrëveshjeve të arritura dyja vendeve, hapjen e zyrave ndërlidhëse, angazhimin e palëve për zbardhjen e fatit të personave të zhdukur të luftës, pastaj anëtarësimin e papenguar të Kosovës në nisma dhe forume ndërkombëtare e deri te mbrojtja e trashëgimisë kulturore e fetare serbe në Kosovë.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





