Transmetuar më 01-11-2012, 12:30

Shkup, 1 nëntor 2012, NOA – Shtetas të Shqipërisë ditëve të fundit janë duke u pajisur me letërnjoftime dhe dokumente personale nga autoritetet e Maqedonisë, për të marrë pjesë në zgjedhjet e ardhshme lokale të marsit 2013.

Këto informacione në formë akuzash vijnë nga partitë e opozitës maqedonase, të cilët theksojnë se partia maqedonase në pushtet VMRO-DPMNE, së fundi ka organizuar shtetas shqiptarë nga rajoni i Pogradecit, Korçës dhe zonave kufitare, të deklaruar se kanë origjinë maqedonase për ti pajisur me dokumente personale të Maqedonisë. Ky aktivitet po realizohet për zgjedhjet e ardhshme lokale 2013.

Ish-kryetari i komunës së Resnjës, Dimitar Buzlevski, i cili pritet të jetë një nga kandidatët e opozitës, ka akuzuar se nën organizimin e institucioneve qeveritare po shpërndahen dokumente personale për shtetasit e Shqipërisë, të cilët do të shfrytëzohen si trup votues në zgjedhjet e ardhshme. Ai ka theksuar se në rajonin e Resnjës dhe Prespës janë evidentuar raste të shumta.

“Apeloj që të ndërpritet ky kriminalitet që paraqet shkelje serioze të Kushtetutës”, ka theksuar Buzlevski. Siç raportojnë mediat e opozitës, një fotograf i një media lokale është sulmuar nga një grup organizator që merret me këto dokumente, për të mos xhiruar pamjet e shtetasve shqiptarë që ishin duke pritur radhë për t`u pajisur me dokumente personale. Sipas portalit maqedonas Sky, vetëm dje janë lëshuar 114 letërnjoftime në Resnjë, kryesisht për shtetas shqiptarë.

noa.al/ina

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit