

Kur kanë mbetur vetëm pak javë nga nisja e festimeve për 100-vjetorin e Pavarësisë, zbulohen edhe disa nga detajet më pikante të organizmit të kësaj feste të rëndësishme për të gjithë shqiptarët. Ndryshe nga sa kanë festuar deri më sot shqiptarët më 28 nëntor, Qeveria dhe Bashkia e Tiranës kanë vendosur t’i japin krejt ngjyra të tjera kryeqytetit, duke e zbukuruar me flamuj dhe simbole të tjera festive kombëtare.
Festa në Tiranë pritet të fillojë në mesditë, pasi të jetë zhvilluar në qytetin e Vlorës, në orët e para të paradites ceremonia e ngritjes së flamurit në sheshin simbol të këtij qyteti. Më pas, e gjithë vëmendja do të përqendrohet në Tiranë ku surprizat do të jenë të shumta. Mësohet se për festimin e 28 nëntorit të 100-vjetorit të pavarësisë, Qeveria do të therë një mijë desh dhe një mijë qengja dhe mishi i tyre i pjekur do tu serviret të gjithë shqiptarëve nga Shqipëria dhe mbarë trojet shqipfolëse, të cilat do të jenë bashkë për të festuar këtë ditë të madhe.
Gjithashtu mësohet se Bashkia e Tiranës dhe kryetari i saj Lulzim Basha, kanë nisur punën për përgatitjen e një torte gjigante, e cila do të peshojë plot 4 ton. Kjo tortë pritet të jetë ndër tortat më të mëdha të përgatitura ndonjëherë dhe për këtë shkak organizatorët e saj shpresojnë të futen në rekordet "Guinnes", raporton gazeta "Koha Jonë".
Kjo tortë gjigante, ashtu si dhe mishi i pjekur, do tu serviret të gjithë shqiptarëve që do të jenë pjesë e festimeve të 28 nëntorit në Tiranë. Gjithashtu mësohet se pjesë e festimeve do të jenë dhe grupe të shumta muzikore dhe të ftuar të veçantë.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





