

Tiranë, 16 tetor 2012, NOA- Ashtu si Kryeministri Sali Berisha garantoi pak ditë më parë se ish-kreu i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve Arben Ristani do ishte bashkëpunëtor i tij i ngushtë, ashtu dhe doli.
Siç agjencia e lajmeve noa.al lajmëroi edhe më parë Arben Ristani është emëruar zyrtarisht në postin e zëvendësministrit të Brendshëm gjatë mbledhjes së sotme të qeverisë.
“Ka patur mirëkuptimin tim kur vendosi të mos kandidojë për faktin se ishte i pari kryetar i KQZ që zgjidhej me konsensusin e të gjithë forcave politike. Për arsye të caktuara Partia Socialiste i hoqi konsensusin dhe Ristani deklaroi se nuk do ishte më për kandidat për në kreun e KQZ. Iu garantoj se në krahun tim do e keni në gjithë betejat e ardhshme”, deklaroi Berisha pak ditë më parë në parlament.
V E N D I M
PËR
EMËRIM NË DETYRË
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 2, të nenit 6, të ligjit nr.9000, datë 30.1.2003, “Për organizimin dhe funksionimin e Këshillit të Ministrave”, me propozimin e Kryeministrit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Z. Arben Ristani emërohet zëvendësministër i Brendshëm.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.
a.y/noa.al
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





