Transmetuar më 10-10-2012, 17:25

Laç, Sarandë, 10 tetor 2012, NOA- Kompanitë “Albtelecom” dhe “Eagle Mobile” kanë përuruar edhe dyqanet e tyre në Laç dhe Sarandë, në vazhdën e fushatës së zgjerimit të rrjetit të dyqaneve edhe pikave të përbashkëta në të gjithë Shqipërinë.

“Albtelecom” dhe “Eagle Mobile” vazhdojnë investimet në infrastrukturë dhe rrjet me qëllim rritjen e kapacitetit dhe cilësinë e shërbimit të ofruar, ndërsa e gjithë infrastruktura e të dy kompanive është përshtatur me teknologjinë më të fundit.

“Albtelecom” ka shtuar kapacitetin e rrjetit të shërbimit të telefonisë fikse dhe internetit, ndërkohë që investimet dhe rritja e kapacitetit po vazhdojnë.

Ndërkaq, një rëndësi e veçantë i është kushtuar edhe shërbimit të kujdesit ndaj klientit përmes një rrjeti të gjerë dhe modern dyqanesh.

Në Laç, Laert Shehu, Drejtor i Rrjetit të Shitjeve theksoi se “Albtelecom” ka trefishuar kapacitetet e mëparshme dhe bashkë me të po realizohet edhe projekti i rëndësishëm i shtrirjes së rrjetit të dyqaneve në të gjithë Shqipërinë me synim ofrimin e shërbimeve të përbashkëta.

“Tashmë Albelecom është me produkte dhe shërbime edhe në zonën e Sanxhakut dhe qytetin e Milotit. Një tjetër surprizë janë edhe ofertat më të fundit 1499 lek dhe 1999 lek, që përfshijnë internetin ADSL dhe shërbimet e tjera të telefonisë fikse. Jemi këtu për të ofruar cilësi maksimale shërbimi dhe jemi krenarë për atë që kemi ofruar dhe vazhdojmë të ofrojmë në të gjithë vendin për të gjitha ata që na besojnë”, është shprehur Shehu.

Ndërsa Drejtori Rajonal i Shitjeve pranë “Albtelecom” dhe “Eagle Mobile”, Indrit Daci, u shpreh në Sarandë se hapja e këtyre pikave të shërbimit të përbashkët demonstron më së miri se tashmë kemi dalë nga moda tradicionale dhe po hedhim hapa të sigurt drejt modernizimit.

“Tashmë kemi një forcë të dyfishuar dhe një plan gjigand në të gjithë Shqipërinë. Ky plan nis që nga ndryshimi i imazhit deri te rritja e shërbimeve për të gjithë abonentët. Me këtë dyqan duam që të ecim paralelisht me investimet gjigande që po bëjmë edhe në infrastrukturë. Ky dyqan është i pari në një vazhdë investimesh për Sarandës, ku do të shtohen fibra optike të reja si pjesë e rrjetit bregdetar dhe do të shtohen kapacitetet”, thotë Daci.

Sistemi Wifi i internetit në zonat turistike është një tjetër risi që i është shtuar këtë verë një pjese të bregdetit dhe vitin e ardhshëm kjo risi pritet të jetë e pranishme dhe e prekshme në të gjithë bregdetin, në mënyrë që turistët të kenë shërbime interneti edhe në vendet e pushimit.

“Albtelecom” ka investuar më shumë se 50 milionë euro në transformimin e infrastrukturës dhe përmirësimin e kapacitetit të rrjetit.

Falë këtij investimi infrastruktura e Albtelecom në shumë qytete të vendit është përshtatur me teknologjinë më të fundit në tregun e telekomunikacionit.

Përveç rritjes së kapacitetit, “Albtelecom” ka investuar në aplikimin e teknologjisë më të fundit në rrjetin e saj.

I gjithë rrjeti i telefonisë fikse është migruar nga teknologjia TDM, e investuar rreth 20 vite më parë, në teknologjinë më të fundit NGN.

“Albtelecom” tashmë do të jetë në gjendje të ofrojë shërbime të reja IP multimediale dhe internet me shpejtësi shumë të lartë.

Nga ana tjetër investimi i “Eagle Mobile” arrin në 90 milionë euro dhe është në vazhdim e sipër.

“Eagle Mobile” së shpejti do të jetë gati të ofrojë të gjitha shërbimet e teknologjisë 3G me shpejtësinë dhe cilësinë më të lartë në treg.

noa.al

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit